Ilir Poroshtica, arkitekt dhe afarist i njohur nga Gjilani, ka vendosur t’i hyjë garës për kryetar të komunës në zgjedhjet e 12 tetorit, duke sjellë me vete një profil të veçantë profesional dhe një qasje ndryshe nga kandidatët tradicionalë. Me përvojë të gjatë në fushën e arkitekturës dhe biznesit, Poroshtica vjen në skenën politike me bindjen se Gjilani ka nevojë për vizion të freskët, planifikim të qëndrueshëm dhe ekipe profesionale që e vendosin qytetarin në qendër të vendimmarrjes.
Ai nuk premton fjalë të mëdha, por vepra konkrete, dhe distancohet qartë nga retorikat boshe që i kanë karakterizuar fushatat e kaluara. Në vend të përqendrimit tek e kaluara, Ilir Poroshtica e sheh të ardhmen si hapësirën e mundësive, ku qyteti mund të zhvillohet përmes ideve të reja, punës së ndershme dhe profesionalizmit institucional. Ai beson fuqishëm se qytetarët e Gjilanit janë të gatshëm të mbështesin ndryshimin kur ai vjen me përmbajtje dhe seriozitet.
Programi i tij, që do të prezantohet para publikut në ditët në vijim, përqendrohet në transformimin urban të qytetit, rritjen e pastërtisë dhe përkujdesjen për ambientin, si dhe në krijimin e një administrate funksionale dhe të hapur ndaj qytetarit. Poroshtica thekson se çdo dikaster komunal do të udhëhiqet nga profesionistë të fushave përkatëse, duke ndalur njëherë e mirë emërimet politike pa kompetencë.
Ai gjithashtu synon të hapë rrugë për investime të reja, duke e kthyer Gjilanin në një pikë atraktive për bizneset dhe zhvillimin ekonomik lokal. Sipas tij, rinia duhet të shohë perspektivë në qytetin e vet dhe të mos detyrohet të largohet për shkak të mungesës së mundësive.
Ilir Poroshtica beson se votuesi gjilanas është i vetëdijshëm, i mençur dhe i lodhur nga premtimet boshe. Ai shprehet se do të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve pikërisht sepse nuk vjen nga strukturat e vjetra politike, por nga jeta reale, nga sektori privat, ku çdo vendim matet me rezultat.
A do ta fitojë ai besimin e shumicës në 12 tetor? Mbetet për t’u parë. Por një gjë është e qartë: ai nuk po hyn në garë vetëm për të qenë kandidat, ai synon të bëjë diferencën./Radio Star/