Qeveria e Kosovës pritet që në mbledhjen e sotme të miratojë shfuqizimin e ligjit ekzistues për lojërat e fatit.
Ky veprim i Qeverisë vjen pak ditë pas miratimit të rezolutës në Kuvendin e Kosovës. Kjo rezolutë ishte e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila mori përkrahjen e 74 deputetëve.
Sipas kësaj rezolute, Qeveria obligohet të nisë menjëherë procedurat ligjore për pezullim të menjëhershëm të aktivitetit të gjitha llojeve të lojërave të fatit deri në plotësim-ndryshimin e ligjit përkatës.
Po ashtu, Qeveria, brenda 30 dite, të sjellë në Kuvend ligjin e ri që i ndalon të gjitha llojet e lojërave të fatit për një periudhë dhjetë vjeçare.
Gjatë ditës sa diskutohej në kuvend, Policia e Kosovës, ka realizuar një plan operativ në gjithë Kosovën.
Sipas Policisë, nga ky aksion janë kontrolluar 235 lokale të ndryshme, prej të cilave 222 janë mbyllur.
“Gjithashtu gjatë këtij plani janë sekuestruar 202 aparate të ndryshme të lojërave të fatit, një tavolinë rolet, 32441 €, 850$, 150 Franga. Operacioni ka përfunduar rreth orës 23:40 pa ndonjë incident përderisa aktivitetet dhe hetimet policore do të vazhdojnë lidhur me këtë operacion policor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në anën tjetër zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi, ka thënë se kanë qenë pjesëmarrës në aksionin e policisë.
“Po kemi qenë pjesëmarrës në aksionin e policisë, ku edhe janë mbyllur shumë lokale. Sipas rezolutës së miratuar në Kuvend, ndalohet zhvillimi i të gjitha veprimtarive të lojërave të fatit për 30 ditë deri sa të dërgohet në Kuvend për votim ligji i ri i cili shfuqizon ligjin aktual”, tha Bytyqi për Indeksonline.
Përkundër kësaj, shumë lokale të lojërave të fatit në kryeqytet por edhe në komunat e tjera të Kosovës janë duke vazhduar veprimtarinë e tyre.