Në një vizitë të papritur, kancelari gjerman Olaf Scholz udhëtoi drejt Beogradit për të marrë pjesë në nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis BE-së dhe Serbisë për importimin e mineraleve, përfshirë litiumin, që janë kritike për tranzicionin digjital dhe të gjelbër të BE-së.
Scholz aty tha se litiumi do të jetë po aq i rëndësishëm për lëvizshmërinë në të ardhmen, ashtu sikurse ka qenë nafta deri më tani. Presidenti serb Vuçiq e quajti këtë “pikë kthese dhe mundësi të madhe” për Serbinë.
Por, a do të ndikojë ky biznes mes BE-së dhe Serbisë në dialogun Kosovë-Serbi?
Për këtë çështje ka folur profesori i Universiteti John Hopkins, Daniel Serwer, i cili thotë se kjo lidhje mes BE-së dhe Serbisë mund të përdoret edhe për të mirë në procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Por, ai thotë se kjo çështje mund të shkojë në drejtim të kundërt nëse BE bëhet “budallaqe”.
“Mund të ndodhë nëse BE është aq budallaqe sa ta lërë të anojë më shumë qasjen e saj drejt Beogradit”, ka thënë Serwer për Express.
I pyetur nëse duke qenë se tani BE ka një marrëdhënie të bazuar në interes me Serbinë, a mund kjo të ndikojë në paanshmërinë që duhet të ketë Unioni në ndërmjetësimin e palëve, Serwer shprehi optimizëm.
“Askush nuk është 100% i paanshëm. BE-ja nuk është vetëm një ndërmjetës, por edhe një mbajtës i pushtetit. Mund të përdorë marrëveshjen e litiumit për të ndikuar në Serbi në drejtime të mira”, u shpreh ai.
BE, veçanërisht Gjermania, në vazhdimësi përmendën këmbënguljen e tyre se Serbia duhet të arrijë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën për të vazhduar me procesin integrues në BE. Në konferencën e përbashkët për media të kancelarit gjerman dhe presidentit serb kjo gjë nuk u theksua. Megjithatë, Scholz tha se kjo marrëveshje do të nxisë “prosperitetin dhe paqen” në Ballkanin Perëndimor.
“Bashkëpunimi i ngushtë në Ballkanin Perëndimor është jetik për stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky është një synim që Gjermania e ka promovuar për më shumë se dhjetë vjet përmes Procesit të Berlinit”, tha Scholz në Beograd.
Pavarësisht kësaj, marrëveshja u komentua si një zbutje e mëtejme e Serbisë përkundër asaj që u përshkrua si “vendi europian që luan mes SHBA-së, Rusisë, Kinës dhe Europës” dhe përkundër që Serbia vazhdon të hezitojë të vendosë sanksione kundër Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë
Por, Serwer thotë se i takon udhëheqësve në Kosovë që të parandalojë këtë zbutje ndaj Serbisë.
“Kjo me siguri mund të ndodhë. Është detyrë e negociatorëve të Kosovës ta parandalojnë atë”.
Në pyetjen nëse BE-ja do të ulë presionin ndaj Serbisë për zbatimin e marrëveshjes me Kosovën, profesori amerikan nuk mendon që ka marrëveshje Kosovë – Serbi.
“Nuk mendoj se ka një marrëveshje reale me Kosovën. Vuçiq e ka bërë të qartë këtë”, tha ai, derisa tha se shpreson që udhëheqja e re e BE-së të vijë me frymë të re në raport me dialogun.
“Unë sigurisht shpresoj kështu [të vijë me qasje të re]. Vitet e mëparshme ishin një dështim. Është më mirë të rifokusohet në çështje praktike që mund të zgjidhen edhe nëse njohja [reciproke] dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk janë të realizueshme”, përfundoi ai.
Në takimin dypalësh me presidentin serb, kancelari federal i Gjermanisë theksoi se procesi i anëtarësimit në BE ishte “i bazuar në performancë”, duke shtuar se Gjermania “do të vazhdojë të mbështesë Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në zbatimin e reformave që janë ende të nevojshme ndërsa ato shkojnë drejt anëtarësimit në BE”.