Ora do të ndryshojë sërish edhe pse ishte thënë se nga ky vit nuk do të kishte më orë verore e dimërore.
Akrepat do të kthehen përsëri për një orë prapa. Zakonisht në natën ndërmjet të shtunës dhe të dielës fillon periudha e ndryshimit të orës, duke lëvizur akrepat para ose prapa për një orë.
Si çdo vit në javën e fundit të tetorit do të përfundojë ora verore, akrepat e së cilës do të kthehen 60 minuta prapa dhe zgjat deri në fundjavën e fundit të marsit.
Të dielën më 27 tetor në orën 03:00 akrepat kthehen 60 minuta prapa duke u mundësuar njerëzve që të flenë një orë më shumë.
Ndryshimi i orës në Evropë u vendos si ligj evropian në vitin 1981. Zhvendosja e akrepave në Evropën Perëndimore është vendosur në fillim të viteve ‘70-ta me shpjegimin se me këtë “zgjatet” dita, rritet produktiviteti, përmirësohet aftësimi i njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase.
Megjithatë, Bashkimi Evropian do të heqë dorë nga ndryshimi dy herë në vit i akrepave të orës, e për këtë u ka dhënë vendeve anëtare kohë deri vitin 2021 për të vendosur nëse duan të qëndrojnë me orën verore apo atë dimërore.