Jozyrtarisht thuhet se në Ministrinë e Financave i kanë bërë të gjitha kalkulimet që koeficienti i pagave në sektorin publik të ngrihet nga 110 në 130 €. Madje thuhet se kjo ngritje do të ndodhë në gjysmën e dytë të këtij viti, me shumë gjasë nga muaji korrik 2024.
Burimet e “FrontOnline” bëjnë të ditur se Qeveria “Kurti” së shpejti do ta kumtojë lajmin për ngritjen e pagave dhe pensioneve, pas pakënaqësive të shumta në lidhje me Ligjin e Pagave, ku shumë punëtorë shtetërorë u ankuan se të ardhurat e tyre u janë zvogëluar, në vend se të rriteshin me Ligj. Ndërsa në vitin 2024, kur inflacioni ka arritur majat, pensionet e moshës në Kosovë nuk e tejkalojnë vlerën e përgjithshme prej 100 €.
Nga viti i kaluar ka hyrë në fuqi Ligji i ri i Pagave, ku vlera e një koeficienti ishte caktuar 105 €, ndërsa nga janari i këtij viti i njëjti është rritur në 110 €. Me gjithë rritjen për 5 € të vlerës së një koeficienti, pakënaqësitë me pagat kanë mbetur. Prandaj, janë bërë parapërgatitjet që me rishikimin e buxhetit të Kosovës për vitin 2024, të ndodhë edhe rritja e pagave dhe pensioneve, që koinçidon në prag të zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen gjatë vjeshtës, apo dimrit të ardhshëm.
Partitë opozitare në Kosovë e kanë kritikuar Qeverinë Kurti për zvogëlim të pagave me Ligj të ri, madje kanë thënë se vlera e një koeficienti duhet të jetë 150 €, mirëpo, siç thonë atam nëse rritja ndodhë në gjysmën e dytë të vitit, po ndodhë për shkak të zgjedhjeve.
Shala i PDK: Rritja e pagave veç për vota
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, njëherësh deputet i PDK-së, Ferat Shala, thotë se Qeveria “Kurti” edhe kësaj radhe pa pikë transparencë do ta marr vendimin për rritjen e pagave.
Sipas tij, ky ndryshim tek pagat do të jetë për nevoja elektorale të VV-së.
“Flitet që Qeveria është duke e analizuar ngritjen e koeficientit, edhe mund ta bëjë një gjë të tillë siç e ka bërë edhe në të kaluarën pa një transparencë pa debat e analizë të rrethanave ekonomike për përfituesit të koeficientit, nëse ndodh vetëm me vendim pa i parë rrethanat është vendim politik për nevoja elektorale”, shprehet Shala.
Shala thotë se ngritja e koeficientit nuk do të mjaftojë pasi sipas tij, do jetë minimale.
“Qytetarët meritojnë ngritjen e pagës me një transparencë analizë e meritë duke analizuar. Qeveria mund të bëjë ngritje minimale por jo të mjaftueshme”, u shpreh Shala për Front Online.
Rukiqi i LDK-së: Rritja e pagave në prag të zgjedhjeve, blerje e votave me paratë e taksapaguesve
Ish-kryetari i Odës Ekonomike, tanimë anëtar i kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi ka vlerësuar se nëse ngritët vlera e koeficientit në fund të mandatit të Qeverisë “Kurti”, është vendim për blerjen e votave me paratë e taksapaguesve.
Rukiqi ka kritikuar pushtetin aktual, duke thënë se s’ka punuar asgjë për mirëqenien e qytetarëve.
“Çdo gjë që lidhet me rritjen e pagave bëhet me rishikim të buxhetit është një procedurë që duhet të kalojë. Këto vendime janë politike dhe të blihen votat me paratë e taksapaguesve. Qeveria s’ka punuar asgjë veç ka ndikuar në përkeqësimin e mirëqenies së qytetarëve, vendim i pamatur dhe i vonshëm e për qëllime elektorale”, tha Rukiqi.
Lekaj: Rritja e pagave varet se kur mbahen zgjedhjet
Anëtari i Komisionit për Ekonomi, nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj ka folur për Front Online lidhur me rritjen e mundshme të vlerës së koeficientit të pagave nga Qeveria “Kurti”
Ai thotë se pushteti aktual e ka keqpërdorur temën për rritjen e pagave.
“Kjo temë është dashur të jetë e mbyllur tani e sa kohë, por që fatkeqësisht është keqpërdorur si temë dhe proces nga Qeveria. Kjo Qeveri ka proklamuar që së shpejti do të rrisë koeficientin, por që zyrtarisht nuk kemi asnjë vendim për rritjen dhe vlerën sa do të jetë ky koeficient”.
Lekaj vlerëson se rritja e koeficientit nga Qeveri aktuale varet nga mbajtja e zgjedhjeve.
Sipas tij, nëse mbahen zgjedhjet në vjeshtë do të ketë ngritje ta pagave nëse jo, koeficienti do rritët në 2025-ten.
“Deri tani pushteti nuk ka dhënë ndonjë element për rritje të koeficientit apo rishikim të buxhetit. Rrethanat politike do të detyrojnë këtë Qeveri të rrisë koeficientin, nëse ka zgjedhje të reja në vjeshtë koeficienti do të rritet pak para zgjedhjeve, nëse zgjedhjet do të mbahen të rregullta atëherë koeficienti do të rritet me buxhetin e ri të vitit 2025”, vlerëson Lekaj për Front Online.
Haki Shatri: Qeveria po tenton të merr poena politik para zgjedhjeve me ‘rritjen’ e koeficientit
Haki Shatri-, ish ministër i Financave, vlera e koeficientit prej 130 eurove vlerëson se është dashur të ndodh në fillim të 2023-tes.
Ai thotë se kjo ngritje mund të ndodhte në fund të këtij viti.
Sipas Shatrit, rritja e koeficientit në fund të mandatit qeverisës bëhet për fushatë zgjedhore.
“130 euro është dashur të bëhet në fillim të vitit koeficienti se kjo caktohet kur aprovohet ligji për buxhetin. Nëse ndodh kjo ka vonesa edhe nja dy muaj në kuvend deri të votohet, ngritja mundet me ndodh në tre mujorin e fundit. Kjo është me marr poena para zgjedhjeve edhe nuk ju shkojnë shumë pare se veç tre mujorin e paguajnë, kjo është fushatë zgjedhore”, thotë Shatri.
Sipas Ligjit për buxhetin e vitit 2023, i miratuar po ashtu në dhjetor të vitit të kaluar, buxheti i përgjithshëm për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro
Sipas Ligjit të pagave në sektorin publik, koeficientin më të lartë e ka pozita e presidentit – 18 – që i bie që paga e presidentit është 1980 euro.
Koeficienti i kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit është 17, ndërsa e deputetit dhe ministrit është 16.4.
Koeficientin 15 e ka komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa 14.5 e kanë drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe ai i Doganës.
Prokurorët dhe gjyqtarët, varësisht nga niveli, i kanë koeficientet nga 12 deri në 14.5.
Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës e ka koeficientin 14.
Me koeficient të njëjtë është edhe drejtori i SHSKUK-së, ndërsa mjeku specialist e ka koeficientin 12, mjeku në specializim 8, mjeku i përgjithshëm, stomatologu dhe farmacist e kanë koeficientin 7.4.
Ndërsa infermierët, varësisht nga niveli, e kanë koeficientin prej 5.1 deri në 5.6.
Mësimdhënësi në shkollë të mesme të lartë e ka koeficientin 5.8 që i bie që paga është 609 euro . Ndërsa mësimdhënësi në shkollë fillore dhe të mesme të ulët e ka koeficientin 5.6 që i bie 588 euro.
Polici e ka koeficientin 5, ndërsa polici i lartë 5.9./Demokracia/