Për nesër e ka ftuar në takim konsultues presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kreun e Qeverisë në detyrë, Albin Kurti, mirëpo kësaj here si shef të Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, në partinë e Kurtit nuk kanë treguar, të pyetur nga Gazeta Express, nëse do t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes.
Pas mocionit për rrëzimin e Qeverisë në krye me Albin Kurtin, i pari i shtetit, Hashim Thaçi, paralajmëroi se do të mbajë takime konsultative me liderët e partive politike në vend.
LDK-ja la të kuptohet se kjo nënkuptonte krijimin e një qeverie të re pa shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, pjesë e të cilës do të ishin edhe AAK-ja dhe Nisma.
Derisa partia e Isa Mustafës nuk i hoqi vijat e kuqe me PDK-në, me skenarin e formimit të qeverisë së re u pajtua edhe presidenti i vendit.
Thaçi tha se do t’i përmbahet Kushtetutës së Kosovës kur të vendosë lidhur me hapat e rinj të formimit të qeverisë. Edhe amerikanët janë pro krijimit të një qeverie të re. Kjo u tha qartë në njoftim të Presidencës që u lëshua pas takimit Kosnett – Thaçi.
Me këtë nuk po pajtohen në Vetëvendosje. Ata thonë se vetëm partisë së parë i takon e drejta për të formuar qeverinë, e se nëse ndodh skenari i krijimit të qeverisë së re do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretim.
Derisa LVV-ja po kërkon zgjedhje të reja sapo të stabilizohet gjendja në vend pas përhapjes së koronavirusit, Thaçi nga nesër do të nisë konsultimet me partitë.
Të parin e ka ftuar shefin e LVV-së, Albin Kurti, që të shihen nesër në Presidencë në ora 10:00.
Se a do të ndodhë ky takim nuk janë përgjigjur nga Vetëvendosje, të pyetur nga Gazeta Express.
I pari i shtetit ka bërë të ditur se gjatë javës do të takojë edhe partitë tjera politike. /GazetaExpress/