Shkruan: Avni Rudaku
Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt 2025 janë interesante edhe për të matur disponimin e elektoratit ndaj qeverisjes lokale në Komunën e Gjilanit, të udhëhequr nga Alban Hyseni, nga radhët e Vetëvendosjes. Një nga bastionet kryesore të Vetëvendosjes, që nga lindja e saj në Gjilan, më 20 gusht 2005, ka qenë edhe Gjilani, sidomos për shkak të punës së aktivistëve të saj, kundër decentralizimit etnik, që i ndau Gjilanit shumë pjesë të saj. Në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Kosovës, ku për herë të parë Vetëvendosje mori pjesë në zgjedhje në vitin 2010, ajo mori thuajse më së shumti vota në Gjilan, 9 mijë e 556 vota. Gjilani dhe Anamorava kanë treguar se janë prijëse të proceseve demokratike e të ndryshimeve të mëdha përmes votës. Qytetarët e Gjilanit ia kanë dhënë mundësinë për të qeverisur komunën, edhe LDK-së, edhe PDK-së, edhe Vetëvendosjes. Vota nga viti 2010 e deri në zgjedhjet e fundit për Kuvend të Kosovës në vitin 2021, vetëm është rritur për Vetëvendosjen, pa asnjë rënie. Ka pasur një rritje të vazhdueshme të numrit të votave nga viti në vit. Nga 9,556 vota në 2010, në 10.080 në 2014, në 17.961 në 2017, në 18,757 në 2019, dhe numri ka arritur në 32,742 në 2021. Rritja më e madhe ndodhi midis viteve 2017 dhe 2021, ku numri i votave u dyfishua (nga 17,961 në 32,742). Secili cikël zgjedhor ka shënuar një rritje të Vetëvendosjes në Gjilan.
Në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës në 2025, rënia eventuale e votave në Gjilan, është edhe rënie e Vetëvendosjes në nivel qendror, e rrjedhimisht, edhe rënie e popullaritetit ndaj qeverisjes lokale të Alban Hysenit. Çka mund të ndikojë në rënien e votave në Gjilan për Vetëvendosjen? Stagnimi total i rinovimit të Stadiumit të qytetit, autostrada Prishtinë-Dheu i Bardhë, batutat me urën e Badocit dhe vonesën e finalizimit të saj, gurthemeli i vonuar vetëm në vitin e fundit të mandatit për Stacionin e Autobusëve, Palestrën e Sportëve “Bashkim Selishta-Petriti”, disa ura të vogla, 7 projektet – 7 javë e prezantuara me shumë vështirësi për t’u parë deri në fund të mandatit, janë vetëm disa nga pakënaqësitë e qytetarëve të Gjilanit me qeverisjen e Hysenit. Keqqeverisja e Hysenit edhe me nepotizëm në arsim, e veçmas bërja virale e punësimit të kunatës, ekipi tejet i dobët joprofesional në kabinetin e Kryetarit të Komunës dhe drejtoritë komunale, renovimet e bëra pa kujdes në ambulanca, siç ndodhi në Dardania 1, mungesa e finalizimit në hyrje-daljet Prishtinë-Gjilan duke dëmtuar rëndë bizneset dhe vonesat që ndodhën në zgjerimin e rrugës Gjilan-Bujanoc, janë arsye shtesë të pakënaqësisë qytetare në Gjilan me qeverisjen aktuale lokale, pavarësisht se disa projekte kapitale varen direkt nga Qeveria e Kosovës.
Në anën tjetër, shpesh ka ndodhur që disponimi i qytetarëve për Zgjedhjet për Kuvend të Kosovës të mos jetë i ngjashëm me ato për zgjedhjet komunale, duke mos u konfirmuar hipoteza se zhgënjimi ndaj qeverisjes lokale sjellë edhe zhgënjimin me qeverisjen qendrore, dhe anasjelltas.
Gjasat që për herë të parë në Gjilan, të ketë rënie të votave për Vetëvendosjen, vlerësoj se janë për të ndodhur në vitin 2025, duke shënuar rënien për herë të parë të votave që nga viti 2010.
Kjo rënie do t’i faturohet edhe qeverisjes së dobët të Alban Hysenit, për rënien e Albin Kurtit. Në rast se nuk do të ketë rënie, atëherë do të fuqizohet edhe më tej hipoteza, se disponimi i votuesve për nivelin qendror lidhet fare pak me atë lokal. Mbetet të shihet pas 9 shkurtit 2025, por qeverisja lokale e Hysenit është parë dhe vlerësohet mjaft e dobët.