Lidhja Demokratike e Kosovës, ka zgjedhur dje (14 mars) kryetar Lumir Abdixhikun. Zgjedhja e kryetarit të ri, erdhi pas rezultatit tejet të dobët të kësaj partie ne zgjedhjet e fundit dhe rezultatit më të dobët në gjithë historinë e saj.
Abdixhiku me t’u zgjedhur kryetar, mori urime të shumta nga politikanë, kryetarë komunash e analistë. Treshja e njohur (ish-bashkëpartiakë), e kanë uruar z.Abdixhiku në një kohë mjaft të sinkronizuar dhe kjo çon në pyetjet nëse ata do t’i bashkohen Abdixhikut në LDK.
Një gjë e tillë është spekuluar që prej kohësh, madje kur emri i Abdixhikut ishte lakuar për kryetar të mundshëm të LDK-së, ndërsa se a do të ndodhë në të vërtetë, mbetet të shihet.
Për urimet që i mori si udhëheqës i ri i partisë së vjetë, LDK, z.Abdixhiku ka falënderuar dje disa prej tyre.
“Më lejoni që këtu, të falenderoj të gjithë politikanët vendorë e ndërkombëtarë për urimet e marra sot. Falenderoj Kryeministrin në detyrë z. Hoti, u.d. e Presidentes znj. Osmani, Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje! z.Kurti; Kryetarin e AAK-së z. Haradinaj; kryetarin e Kryeqytetit z. Ahmeti; Kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri z.Lulzim Basha e ish Presidentin shqiptar z. Sali Berisha, miqtë tanë në Partitë Popullore Evropiane dhe gjithë kolegët, bashkëpunëtorët e përfaqësuesit tjerë të korit diplomatik”, shkroi dje Abdixhiku.