Edhe pse shefi i Policisë së Kosovës tha se kur jeni duke ecur vetëm në rrugë, mund të mos e vendosni maskën, ministri i Shëndetësisë flet ndryshe.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, po japin deklarata të kundërta me njëri-tjetrin për bartjen e maskës në rrugë, shkruan Gazeta Express
Zemaj ka thënë për Express se për këtë çështje vlen udhëzuesi që akoma është në fuqi. Sipas këtij udhëzuesi, maskat duhet të vendosen edhe kur jemi duke ecur vetëm në rrugë.
Kjo është theksuar në udhëzuesin e Ministrisë së Shëndetësisë, për përdorimin e maskave.
“Udhëzuesi i cili është në fuqi “ Përdorimi i maskave dhe mbulesave të fytyrës në komunitet”, ka deklaruar Zemaj.
E shefi i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, të mërkurën në një emision televiziv ka thënë se nuk është e nevojshme mbajtja e maskës gjatë kohës kur jemi duke ecur të vetëm në rrugë.
Qalaj tha se maska duhet të bartet në rastet kur jeni me dikë tjetër pasi që konsiderohet grup.
“Në instruksionet e fundit tashmë edhe kur je duke ecur vetëm në rrugë nuk ka nevojë ta kesh makën, e as në veturë, por në momentin që je me një tjetër konsiderohet grup dhe duhet ta kesh maskën”, ka deklaruar Qalaj.
Krejt kjo ngatërresë rreth përdorimit të maskës në rrugë është bërë pas publikimit të udhëzuesit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në udhëzuesin e parë që u dërgua nga MSh’ja, shkruante se vendosja e maskës gjatë kohës kur jemi të vetëm në rrugë nuk është e nevojshme.
Ndërkaq në udhëzuesin final të dërguar nga Ministria e Shëndetësisë, nuk përmendet se gjatë kohës kur jemi vetë mund të mos e vendosim maskën.
Ndërkohë, vendosja e maskës është bërë e obligueshme nga data 13 korrik e këtij viti.
Me vendim të Qeverisë, të gjithë qytetarët e Kosovës, janë të obliguar që t’i vendosin maskat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.
Më 26 gusht ka hyrë në fuqi edhe Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
Në bazë të këtij Ligji, qytetarët të cilët nuk vendosin maskën dënohen me 35 euro gjobë.
Ai person që është vendosur në izolim apo karantinë dhe tenton të largohet dënohet me gjobë 500 euro dhe rikthehet në izolim.
Kushdo që hyn në zonën karantinë të Republikës së Kosovës dhe nuk izolohet apo karantinohet, siç është përcaktuar me vendim të organit kompetent, dënohet me 500 euro gjobë.
Personi i cili vjen nga zona karantinë dhe nuk zbaton vendimin nga organi kompetent për izolim apo karantinim të detyrueshëm dënohet me gjobë prej 150 euro.
Si dhe personi që del nga izolimi apo zona e karantinës pa leje përkatëse dënohet me 150 euro.