Avni Rudaku – sociolog
Trajtat e lidhjeve dashurore po evoluojnë. Poliamorët janë përhapur mjaft shumë në Perëndim. Kur dikush ju thotë: “Jam poliamor!”, nuk e ka fjalën për “poliester”, por për lidhjen dashurore me shumë partnerë në të njëjtën kohë, duke e ditur të gjithë për njëri-tjetrin se janë në një lidhje të njëkohshme, pa xhelozi fillestare, dhe potencialisht, me rrëshqitje në të më vonë. Greqisht, poli, dihet tashmë, shumë, kurse amorus, latinisht për dashurinë. Poliamorët mund të jenë heteroseksualë, por shumë prej tyre janë LGBT, panseksualë etj.
Dallimi i poliamorisë me poligaminë
Poligamia është e njohur në shumë vende, kultura e religjione. Myslimanët dhe mormonët e zbatojnë edhe sot poligaminë, përkatësisht poligjininë: kur burri martohet me disa gra në të njëjtën kohë. Në shumicën e vendeve perëndimore dhe jashtë tyre, poligamia është joligjore. Në vendet islame, edhe etike, edhe ligjore. Poligamia dallon nga poliamoria:
– poligamia kryesisht është e gjinisë mashkullore, ndonëse ka edhe poliandri, por më rrallë; te poliamorët, edhe burrat, edhe gratë kanë të drejtën e tyre morale e sociale;
– poligamia më së shumti identifikohet me islamin dhe mormonizmin e krishterë, traditat e hershme afrikane, aziatike etj., kurse poliameria kryesisht sekulare e laike. Mund të jenë herë feministë radikalë e të moderuar, sekularë të butë e të fortë, ateistë, ose pa u ndikuar aq nga feja, por nga botëkuptimi liberal e sekular;
– poligamia lidhet me kurorëzim, kurse poliamorët nuk kurorëzohen, sepse do të ishte thuajse poligami, si dhe në SHBA e gjetiu, konsiderohet ilegale. Edhe po të duan, nuk munden;
– poligamia më shumë kufizohet tek afrikanët, aziatikët, arabët, mormonët e krishterë amerikanë të bardhë, zona të tjera më të mbyllura, kurse poliamoria më së shumti e përhapur në Perëndim, si alternativë e monogamisë serike ose statike;
– poligamia më shumë kufizohet nga besimi i partnerëve në baza fetare, kurse poliamorët, u tregojnë partnerëve të tyre me baza lirie personale dhe mirëkuptimi e pajtimi reciprok e grupor;
– poligamia mbetet kryesisht heteroseksuale, kurse poliameria e të gjitha orientimeve seksuale, homo, bi, hetero, pan…;
– poligamia mbetet e kahershme dhe tradicionale, kurse poliamoria me bazë revolucionin seksual para mbi gjysmë shekulli dhe lëvizjet e mëdha sociale, politike, feministe…
A mund të duam në të njëjtën kohë shumë partnerë?
Po.
Shumica e kanë një stereotip, se nuk munden. Por dashuria bashkëshortore në monogami, e shoqëruar shpesh edhe me lidhje jashtëmartesore e “shfalerka”, “dashnore”, është kopje analoge deri diku e poliamorëve. E duan gruan, e duan dashnoren! Dikush thotë se, pikërisht pse gjeni dashnore, jashtë martesës, nuk e doni gruan! Por edhe ky është stereotip. Mund të jenë dyjat: edhe ka raste kur i do të dyjat, edhe vetëm njërën. Ose varianti i tretë: dyjat i do, por njërën pak ma shumë, ose në frekuenca të ndryshme vlerore e funksionale. A nuk vlen kjo edhe për nënat, kur themi: “Nëna i do njësoj fëmijët e vet!”?! Por dikush nga fëmijët, ta thotë: “Atë, të madhin, a të voglin, e do më shumë!” Ose fjalia: “Nëna e mirë nuk tregon kë e do më së shumti prej fëmijëve të saj!” Demek, nuk bën ta thuash, por ndodh realisht. Analogjia është edhe e pasaktë, por ne duhet të kuptojmë se kapaciteti njerëzor është të duash më shumë njerëz në të njëjtën kohë, sesa vetëm një përjetësisht, por dikë më pak, e dikë më shumë. Ose: secila/i e ka vendin e vet nē hierarkinë emocionale! Nuk ka terezi, kandar. Kjo varet edhe nga kultura dominuese monogamike. S’është vetëm gjenetike, por shumë edhe kulturore.
Poliamorët dhe sfidat e tyre
Kur poliamorët duan shumë partnerë me dijeninë e të gjithëve, shmangin pasojën emocionale, që shpesh në disa shoqëri më konservatore, patriarkale e fetare, ka rezultuar me vrasje. Tradhëti është vetëm kur bëhet në fshehtësi, thyhet kontrata. Poliamorët e heqin qafe tradhëtinë. Edhe zvogëlohet dëshira për “shfalerka” dhe “shfalerë”, ose më njerëzisht: “dashnore” dhe “dashnorë”! Edhe kanë përkatësi sociale, më pak vetmi, izolim dhe më shumë socializim. Forcojnë ndjenjën e komunitetit. Por kur duan të bëjnë fëmijë, rreth pronave, mund të kenë telashe me ligjin. Që në start, nuk lejohet kurorëzimi. Konsiderohet si poligami! Mund të komplikohet juridikisht situata, kur ka konflikte ose mospajtime mes poliamorëve, pasi që gjatë relacionit social, kalojnë edhe në raporte të tjera krijuese, xhelozuese, pronësore etj. Ka edhe “solopoli”, që rrinë të vetëm në banesë e shtëpi, por kanë raporte poliamore.
Poliamoria në Kosovë
Në Prishtinë ka dinamikë më tjetër, me disa sjellje më liberale edhe në aspektin dashuror dhe seksual, por poliamoria në përgjithësi, nuk njihet në Kosovë. Ekziston ligjërisht monogamia seriale, një bashkëshort deri sa nuk ndahesh me të, për t’u lidhur me një tjetër. Përveç mongamisë seriale, ka raste nga e kaluara, si bigami, bigjini, kur burri martohet me dy gra, dhe zakonisht kur nuk bën fëmijë, gruaja e parë. Sot kosovarët dominohen edhe më tej, me martesën monogamike seriale, bashkëjetesën e përhapur pas luftës, sidomos në Prishtinë, martesën patrilokale (gruaja jeton te shtëpia ose pranë prindërve të bashkëshortit) dhe format e tjera dashurore, janë të njohura sidomos jashtë martesës monogame, si: “shfalerka”, “shfaleri”. Pasi diktohen lidhjet jashtëmartesore, diçka që nuk përkon me poliamorët, shumica e prishin martesën. Dikur përfundonte me fatalitet, tash më shumë me sportivitet (forma e drejtë!). Ekziston edhe martesa matrilokale, p.sh., djemtë që po martohen me çika të jashtit në Zvicër, shkojnë jetojnë pranë familjes së bashkëshortes dhe shpesh kjo i tensionon bashkëshortët e rritur nga kultura patrilokale e patriarkale në Kosovë! Shpesh për këta burra, thuhet se “i kanë dhënë”, ngjashëm siç thonë për vajzat!
A na mjafton monogamia?!
Paj, jo, dhe po! Jo, sepse kemi vazhdimisht ekspozim të lidhjeve të panumërta sociale, fizike e virtuale; seksualizim total të agorës kudo; konsumim të lidhjeve, frustrime, monotoni, lakmi, krahasime sociale etj. Po, sepse kurrë nuk ndalen të bukurat rreth nesh! Me një që jetojmë përherë, formojmë kujtimet afatgjate. Janë disa faktorë socio-kulturorë dhe të ekonomisë, që e ruajnë monogaminë seriale në Kosovë: vendi i vogël dhe lëndimi i kohezionit social. Varfëri e madhe. Papunësi. Punë e paguar dobët. Pa sigurim social e shëndetësor. Me një banesë ku jetojnë fëmijët me prindërit e tyre. Prostitucioni nuk është legal dhe ka ndrydhje gjithandej. Ka varësi të fëmijëve nga prindërit, edhe kur bëhen 30 vjeçarë, e lëre më, më të rinj. Si temperamentë, ende vlon gjaku shpejt dhe xhelozia në provinca, është e manifestuar në forma shpesh të vrazhda.
A do të përhapet poliamoria në Kosovë?!
Varet nga dinamikat ekonomike, globale, sociale e kulturore. Ndoshta në Prishtinë, ndonjë nga këto trajta dashurore, po. Por për shkak të vendit të vogël, ka më pak gjasa. Aty ku ka më shumë anonimitet, individualitet, pavarësi ekonomike e banesore, ka gjasa të evoluojnë gjithmonë format e tilla dashurore. Tash për tash, i bajshim me shnet, “shfalerkën” e “shfalerin”, divorcin pas tradhëtisë së zbuluar ose tradhëtinë e fshehur, jetën paralele romantike, apo pse jo, edhe besnikërinë monogamike!