Nëse e shihni një polic të Kosovës në rrugë duke ushtruar dhunë ndaj ndonjë qytetari, lirisht nxirreni telefonin tuaj dhe filloni të xhironi.
Xhirimi apo fotografimi i rasteve të tilla, mund të jetë përcaktues për të treguar nëse polici ka vepruar në mënyrë të ligjshme.
Arbër Beka nga Inspektorati Policor i Kosovës, thotë se parimisht qytetarët kanë të drejtë të xhirojnë punën e policëve, përderisa nuk e pengojnë punën e tyre.
Beka thotë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët nuk kanë të drejtë të xhirojnë në rastet kur me shenjë të caktuar është e ndaluar që të ketë incizim ose ka kufizim të lirisë së lëvizjes në zonë të caktuar me shirit të policisë, që bëhet fjalë për një vend të ngjarjes.
“Në qoftë se bëhet një incizim i ndonjë veprimi të zyrtarëve policorë, qoftë të ndonjë arrestimi apo diçka të ngjashme, të mos jetë në një distancë afërsie aq të madhe sa që të pengohet puna e zyrtarëve policorë, duke tentuar që të bëhet një incizim, për shkak se në këtë mënyrë edhe mund të kryhet pastaj vepër penale nga qytetarët ‘pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’”, thotë Beka.
Beka tregon se pikërisht disa video-incizime që i kanë dërguar qytetarët, kanë ndihmuar për të vërtetuar shkeljet potenciale të punonjësve policorë, si dhe për të vërtetuar që zyrtarët policorë kanë pasur një reagim profesional.
Sipas tij, Policia e Kosovës është duke iniciuar një projekt për pajisjen e policëve me kamera trupore.
Disa ditë më parë, përmes një njoftimi në Facebook, Policia e Kosovës ka njoftuar se pasi kanë parë në media një foto ku shihet një qytetar duke kryer kundërvajtje rrugore (tejkalim në vijën e plotë), të njëjtit i është shqiptuar tiketa sipas Ligjit mbi kundërvajtjet në trafik./REL/