Në kohën kur u vendos tarifa prej 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, kishim një hyxhym për me e përvetësua idenë për taksën dhe një garë se kush më shumë ka merita për këtë hap aq shumë të nevojshëm dhe të vonuar.
Shkruan: Ardian Azemi
Jam thellë i bindur se PDK e ka menduar se taksa do të jetë në fuqi pak kohë dhe do të hiqet, ndërsa meritat ti takojnë asaj, duke harruar se kryeministër i Kosovës është dikush tjetër, jo nga LDK-ja të cilin kanë luajt bash siç kanë dashtë.
Nuk ka rëndësi kush me kënd është në koalicion, rëndësi ka që e vërteta të thuhet hapur. PDK nuk e ka menduar se kjo do të zgjas, ndryshe nuk do ta përkrahte, jo për ndonjë arsyeje tjetër, por për shkak të fjalës së thënë e të dhënë në Bruksel e ShBA nga presidenti Thaçi. Amerika nuk është se nuk e njeh terrenin këtu, e as që s’ka informacione rreth qëndrimeve të partive në Kosovë, por qëndrimin e liderëve të partive e kanë prezantuar si unik, ndërsa si pengesë qëndrimin e kryeministrit Haradinaj. Ky është rezultat i udhëtimeve të shpeshta të presidentit Thaçi dhe vartësve të tij në ShBA.
Taksa nuk është kah paraqet problem për Serbinë sa po paraqet problem për PDK-në dhe LDK-në. As njëra e as tjetra nuk e kanë frikën nëse po prishen raportet me Amerikën, sepse PDK u pa sa i intereson mendimi amerikanë kur nisi me shfuqizue gjykatën speciale, ndërsa amerika thoshte se kjo është “thikë” pas shpinde. Të dyja partitë e kanë veç një problem; biznesin dhe pushtetin, prandaj me çdo kusht e duan rrëzimin e Haradinajt nga pushteti, sepse sikur është i vetmi që paraqet problem për të dyjat. E kemi thënë disa herë; LDK vepron deri aty ku PDK ia lejon, e për çfarë arsyeje, ata e dinë më së miri.
Për një gjë jam i sigurtë, nëse Haradinaj do të hiqte dorë nga vendimi për taksën, sot sigurisht do të debatonim kush me kënd do ta formoi qeverinë e re të Kosovës. Nuk do të kishin kaluar as dy ditë, do ta kishin rrëzuar Haradinajn, me arsyejen se po i nënshtrohet Serbisë. Mirëpo, këmbëngulësia për të drejtën tonë, Ushtria, ligji për Trepçën, ligji për Prishtinën, ligji për pagat, për qeverinë, ndarja e buxhetit nëpër komuna barabarësisht, sinqeriteti e serioziteti në qeverisje, krijimi i partneritetit serioz dhe me respekt me shtetet mike, ia kanë turbullue sondazhet partive tjera dhe kjo i ka heshtë, dhe po i trishton veç ideja me shkua në zgjedhje te parakohëshme, anipse deklarojnë ashtu.
Proceset nëpër të cilat po kalon shteti dhe populli ynë, thërrasin për unitet, për bashkëpunim e bashkëveprim. Mirënjohës përjetë ShBA-ve, Anglisë, Gjermanisë dhe shteteve tjera që ndihmuan, investuan, dhe ndërtuan Kosovën shtet, por njëzëri do të duhej ti përgjigjeshim Serbisë dhe Rusisë, sepse kur ne u dalim në përkrahje serbëve dhe rusëve, ata ashpërsojnë luftën, kur ne nuk merremi vesh ndërmjet vete, ata e fitojnë betejën, dhe kur ne urrehemi mes vete, ata fitojnë luftën ndërsa ne ua minojmë të ardhmën breza të rinjë. Është në dorë tonë se çfarë jete do të kenë gjeneratat e ardhshme. Sot duhet të veprojmë, viti ardhshëm është muhabet tjetër.