Po përcjellët me kritika shpërndarja e pagesave të Fondit për Rimëkëmbje Ekonomike, e cila ka për qëllim ndihmën për mbi 60 mijë biznese që kanë pasur humbje për shkak të pandemisë Covid-19.
Nga ky Fond i përbërë prej 60 milionë eurove secila firmë private do të përfitojë nga 290 euro për një punëtor të regjistruar.
Lidhur me këtë kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi ka adresuar kritika ndaj Ministrisë së Financave, e cila ka bërë edhe ekzekutimin e këtyre mjeteve për këto biznese.
Sipas tij, listat me emra të punëtorëve përmes së cilave është bërë edhe shpërndarja e këtyre mjeteve për bizneset, është marrë në muajin dhjetor, muaj ky që sipas Azemit janë larguar mbi 60 mijë punëtorë nga ato lista.
“Është marrë lista e punëtorëve në muajin dhjetor. Mbi 60 mijë punëtorë i kemi të larguar nga puna që nga dhjetori. Kompanitë do të marrin subvencion në emër të atyre punëtorëve që i kanë larguar tashmë nga puna dhe nuk janë pjesë e atyre listave”, u shpreh Azemi për Gazetën Objektiv.
Ai madje është ankuar edhe për mos përfshirjen direkte të punëtorëve edhe në Pakon për Rimëkëmbje Ekonomike.
“Punëtorët nuk kanë qasje këtu dhe të gjitha mjetet shkojnë dhe destinohen në emër të kompanisë. Përpos asaj që pronari i kompanisë stimulohet për kokë të punëtorit, punëtorët këtu nuk paguhen”, tha Azemi.
Ai ka pohuar se edhe në shpërndarjen e mjeteve në Pakon Emergjente janë bërë keqpërdorime.
“Ne kemi paraqitur ankesë te organet kompetente për keqpërdorimet që janë bërë për pakon Emergjente që kemi thënë se pjesa dërmuese më shumë se 70% e mjeteve që kanë qenë të dedikuara për punëtorë ato kanë shkuar në llogari të kompanive private direkt. Jam shumë i bindur që edhe Prokuroria do ta vërtetojë që janë bërë keqpërdorime”, ka theksuar Azemi.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi ka sqaruar se listat me emra të punëtorëve janë marrë nga muaji dhjetori nga sistemi i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), dhe që sipas tij, me tu vërejtur se kjo listë ka pësuar ndryshime, ato janë përditësuar me listat e muajit korrik.
“Listat me emrat e bizneseve merren nga sistemi i ATK-së dhe janë marrë listat e dhjetorit, për ndërmarrjet që kanë një historik më të gjatë të veprimtarisë. Listat e fundit tregojnë se ka ndryshime mbi 5% në numrin e punëtorëve, atëherë është marrë lista e muajit korrik. Janë marrë listat e rishikuara”, tha Krasniqi duke shtuar se këto mjete nuk i ndahen punëtorëve por ndërmarrjeve me qëllim që t’i mbajnë punëtorët në punë që kanë probleme me financa.
Derisa ka folur për Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike, ai ka përmendur edhe sektorët e bizneseve që nuk janë përfshirë në këtë pako.
“Sektorët që rregullohet me mbikëqyrje nga BQK-ja siç janë bankat, kompanitë e sigurimeve, fondet pensionale, institucionet financiare e bankare, përmbaruesit, sektorët që rregullohen nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, sektori i aviacionit civil, i kontrollit teknik, homoglobimit që janë një lloj monopoli, terminalet dhe lojërat e fatit, të gjitha këto sektore janë larguar nga lista”, përfundoi Krasniqi.
Mjetet prej 60 milionë eurove të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, kanë filluar të shpërndahen më 13 tetor nga Ministria e Financave për 36,679 biznese, të cilat kanë deklaruar 206,852 të punësuar./Objektiv/