Dy muajt e bashkëqeverisjes LDK – AAK janë shënuar me disa përplasje mes tyre. Hoti thotë se duhet të mësohen se ka një kryeministër këtu. Shkuarjen e Haradinajt në pikën kufitare me Serbinë e quajti defilim. Ministrat nga AAK’ja, dhe vetë Haradinaj, nuk hezitojnë t’i përplasin Hotit publikisht pakënaqësitë ndaj tij. A po bëhet qëllimshëm një përplasje e tillë, sidomos prej Hotit, për të zgjeruar koalicionin edhe me PDK’në?
Kryeministri Avdullah Hoti, i infektuar nga Covid 19, po kurohej në shtëpi, kur partneri i tij, Ramush Haradinaj, nisi inspektimin e tij në Karaçevë të Kamenicës. Aty një ditë më, më 7 gusht, ishin parë ishin parë trupa të ushtrisë serbe.
Haradinaj aty nuk po e përfaqësonte Qeverinë, si pjesë e saj. Kjo u kuptua, kur kryeministri Hoti reagoi, duke folur për ata që, sipas tij, defiluan në Karaçevë.
“Siguria në Kosovë nuk mund të rrezikohet nga askush. Nuk ka vend për panik, dhe as nevojë për deklarata pompoze e defilime në vendngjarje, pa pasur idenë se si ka ndodhur ngjarja”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla e AAK’së shkroi sot për “defilim të ushtrisë serbe”, ndërkaq në fund e la një mesazh për shefin e saj në Qeveri, kryeministrin Hoti.
“Terrorizimi i popullit shqiptar të fshatit kufitar me Serbinë, përmes defilesë së uniformës serbe dhe rikujtimit të krimeve gjenocidale të Serbisë në Kosovë, nuk e ndihmon normalizimin e marrëdhënieve, pajtimin, e as vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka shkruar ajo.
“Veprimi sipas Kushtetutës dhe Ligjit nuk është deklaratë pompoze, por obligim shtetëtor që duhet t’a ndjekim të gjithë”, thuhej në fund të shkrimit të ministres Haradinaj.
Kjo është e fundit nga partnerët qeveritarë akuzojnë njëri – tjetrin e shfaqin përplasjet e tyre publikisht.
Qeveritë e fundit në Kosovë po karakterizohen me opozitarizëm përbrenda. Albin Kurti u rrezua nga partneri i tij LDK’ja, ndërsa kryeministri Hoti, që e rrezoi Kurtin, nuk i ka punët mirë tash me partnerët e tij të rinj, Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn.
Shefi i ekzekutivit këtë javë në Pressing ka thënë se “duhet të mësohen se ka vetëm një kryeministër”, kur po fliste për raportet me partnerët”.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi në emisionin Frontal të T7 pati thënë se nuk kanë përçarje në koalicion, megjithatë kishte renditur pakënaqësitë që AAK’ja i ka ndaj kryeministrit Hoti. Madje, sot u ankua se Kryeministri Hoti po ia pamundëson të marrë informacione të dorës së parë për dialogun e Brukselit.
Selimi, që tregoi se është përfaqësuesi i Ramush Haradinajt dhe i AAK’së në Qeveri, tha pakënaqësitë e tij nisën kur ai udhëtoi bashkë me kryeministrin në Bruksel për dialog me Serbinë. Por, Hoti në takim me presidentin serb, Aleksander Vuciq, nuk e mori askënd nga partnerët qeveritarë, pos shefen e kabinetit të tij, Ardita Dushin.
“Me të shkuar atje [në Bruksel], ne punuam në pozicionet që ne i kemi. Në bazë të BE’së, takimi ka qenë 1+1. Termet e pjesëmarrjes në dialog i përcakton pala. Vuçiq e ka marrë një person që ka qenë i angazhuar në minimin e ekzistencës tonë. Nga ana jonë, edhe unë edhe përfaqësuesja e Nismës është dashur të jemi aty”, është shprehur Selimi.
Haradinaj më pas kishte thënë se Hoti “ta harrojë se e ka mbështetjen e AAK’së për këtë formë të dialogut”.
Tutje AAK’ja u ankua edhe se kryeministri Hoti caktoi si koordinator për dialogun me Serbinë “në nivel ekspertësh”, Skender Hysenin e LDK’së, në pajtim me presidentin Hashim Thaci. Partnerët në Qeveri thanë se nuk kanë qenë as të njoftuar për këtë vendim të Hotit.
“Kanë qenë disa veprime që ne kemi qenë të zëshëm, prej kohës që kemi qenë në Bruksel. Një çështje ka qenë mospjesëmarrja e përfaqësuesve tonë në Bruksel, tjetri ka qenë emërimi i krynegociaotorit [Skender Hysenit]”, tha Selimi.
Qeveria e përbërë nga LDK, AAK, Nisma Socialdemokrate dhe minoritetet është votuar me 3 qershor, me 61 vota pro. Kjo është qeveria e dytë e zgjedhur nga legjislatura që doli prej zgjedhjeve të 6 tetorit. Qeveria e fundit e Kosovës, ajo e Kurtit, pati jetëgjatësi prej 4 muajve, pasi LDK’ja i ngriti mocion votëbesimi. /Express