Viti 2024 është vit zgjedhor në Kosovë, ndërsa partitë kanë nisur përgatitjet për fushatë zgjedhore. Për këtë arsye Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës krijoi edhe një shtab zgjedhor për Zgjedhjet Parlamentare.
Të martën nëpërmjet një komunikate për media, partia opozitare, ka njoftuar se grupi për hartimin e Programit Zgjedhor të AAK-së 2025-2028, ka diskutuar programin për Ekonominë dhe Sigurinë Sociale duke miratuar disa qëndrime programore.
Grupi për hartimin e Programit Zgjedhor të AAK-së ka propozuar që paga mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro, ndërsa paga minimale 450 euro.
“Vlera nën pagën minimale nuk tatimohet. Revitalizim i plotë i kapaciteteve energjetike. Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore. Granti i katërt për Komuna, miratimi i Ligjit për Financat Lokale. Burimet njerëzore – Subvencionimi i pagave të sektorëve deficitar”, thuhet në njoftim
Ky grup, sipas AAK-së, ka futur në program edhe orarin fleksibil në punë në sektorin publik.
“Domain i veçantë i Kosovës – Pavarësia digjitale. Zhvillimi i industrisë së Turizmit, duke përfshirë agroturizmin dhe turizmin shëndetësor. Kosova nyje logjistike në Ballkanin Perëndimor. Krijimi i klimës së sigurisë për investimet e huaja”.
AAK ka propozuar edhe dyfishim të buxhetit të shtetit brenda mandatit të Qeverisë.
“Në ditët në vijim do të identifikohen prioritetet programore të Aleancës në sektorë të ndryshëm, siç janë: Shëndetësia, Arsimi, Siguria, Bujqësia, Diaspora”.