Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan, ka mbajtur një takim koordinues dhe përgatitor në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2025.
Nën drejtimin e kryetarit të degës dhe kandidatit për kryetar të Komunës së Gjilanit, Nazim Gagica, takimi kishte për qëllim finalizimin e listës garuese për Asamblenë Komunale dhe harmonizimin e veprimeve politike në terren.
Në këtë takim morën pjesë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj, dhe anëtari i kryesisë qendrore të AAK-së, Ahmet Isufi, të cilët shprehën mbështetje për strukturat lokale dhe vizionin afatgjatë të partisë për zhvillimin e Gjilanit.
Statusi i plotë:
Gjilani i së nesërmes ndërtohet me punë dhe vendime të mençura sot.
Takim koordinues dhe përgatitor me strukturat udhëheqëse të AAK-së në Gjilan, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale që po afrohen.
Fokus i veçantë i këtij takimi ishte finalizimi i listës garuese për Asamblenë Komunale, ndërsa për të dhënë kontributin e tij mori pjesë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, z. Daut Haradinaj dhe anëtari i kryesisë z. Ahmet Isufi.
AAK po hyn në këto zgjedhje me besim të plotë në kapacitetin e vet për të sjellë ndryshim dhe për të kontribuar si faktor vendimmarrës në zhvillimin e Gjilanit për periudhën 2025–2033.
Mbetemi të përkushtuar ndaj punës së ndershme, vizionit afatgjatë, dhe ndërtimit të një Gjilani më të drejtë për të gjithë qytetarët.