Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje me ardhjen në pushtet ka shkelur mbi të gjitha kauzat e saj.
E ndër këto kauza, si të shkelur më të dyja këmbët, Abazi po e konsideron atë të Privatizimit të Distribucionit.
Ai gjithashtu e ka cekur se u përjashtua nga Komisioni Hetimor për Privatizim, pasi që nuk ishte në një linjë të mendimeve me shefen e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilën.
“Kauzat e Vetëvendosjes janë shkelur që të gjitha, si ajo e distribucionit. Unë nuk kam dhënë dorëheqje prej VV-së, por në të njëjtën kohë nuk kam pranuar të bëhet komisioni hetimor për privatizimin e distribucionit, sipas dëshirës së Mimoza Kusarit, dhe jam përjashtuar prej këtij komisioni”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.
Abazi tutje ka deklaruar se pavarësisht kërkesës së tij të argumentuar se duhet të vazhdojë punën komisioni hetimor për privatizimin e aseteve strategjike, një gjë të tillë e kanë stopuar kryeministri, Albin Kurti e zyrtarja e VV-së, Dejona Mihali.
“Me 23 shkurt 2022, kam bërë kërkesën e argumentuar për krijimin e komisionit hetimor për vazhdimin e hetimeve për privatizimin e aseteve strategjike, është ndal nga Albin Kurti, Dejona Mihali dhe Mimoza Kusari. E gjithë kauza që po bëhet privatizim i dëmshëm për ekonominë e Kosovës është shkelur me të dyja këmbët”, ka shtuar ai.