Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka shprehur hapur pakënaqësi ndaj shefes të Grupit Parlamentar të partisë, Mimoza Kusari-Lila.
“Ky vend nuk ndryshon duke e bërë riciklimin e njerëzve të njëjtë. Nuk ndryshon me Mimoza Kusari-Lila. Ndaq mere personale.. një njeri i cili ka qenë në të kaluarën…vetëm një arsyetim ka lojaliteti i së majtës që kualifikohet si e pranueshme ose me bisht ndër derë. Unë nuk kam bisht ndër derë. Unë nuk i kam borgj askujt. I kam borgj vetëm vendit tim”, u shpreh ai.
Abazi ka folur edhe për bashkëpartiakun e tij, Armend Muja, duke aluduar se ai nuk përfaqëson frymën e VV-së.
“Nëse flasim për transformim të mendësisë qeverisëse për korrektim të problemeve të krijuara nga e kaluara, nuk mundesh të jesh i bindur as me këtë që është kryerse e detyrës kundër statutit të Lëvizjes e as me atë që ka qenë në Agjensionin e Akreditimit të Institucioneve të Larta Arsimore”, u shpreh ai.
Abazi ka theksuar se vlerë e VV-së është pasioni i aktivistëve.
Deputeti i VV-së foli edhe për çështjen e Kodit Civil një projektligj që ka hasur në kundërshtim te deputetët konservatorë të partisë.
Ai ka thënë se pa Mimoza Kusari-Lilën, do të gjendej zgjidhja edhe për Kodin Civil.
“Vlera e VV-së është te pasioni i aktivistëve, që veten e kanë parë në dritëhijen e ndryshimeve të thella. Këtu është pakënaqësia edhe te unë, edhe te Visar Korenica. Edhe për Kodin Civil, po të bëhej debati jashtë kornizimit të Mimoza Kusarit, do të gjendej zgjidhja e problemit. Unë jam pro Kodit Civil, Visar Korenica është kundër Kodit Civil, por të dy jemi për Kosovën me prosperitet”, ka theksuar ai.