Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për situatën e krijuar sot në Kuvendin e Kosovës.
Abdixhiku ka thënë se dhuna nuk është mjet, por është shëmti.
“Një episod i errët i historisë parlamantare në vend; në një kohë kritike për Republikën dhe të ardhmen tonë si shtet. Dhuna nuk është mjet, nuk ishte as sot e nuk ishte as dje. Dhuna në Kuvendin e Kosovës është shëmti. Ajo shpërfytyron vet demokracinë dhe kulturën politike për të cilën kemi nevojë si shoqëri”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai tha se LDK e refuzon këtë qasje si mjet, si dhe refuzon gjuhën polarizuese, përçarëse e nxitëse.
“LDK e refuzon këtë qasje si mjet. Siç dhe refuzon gjuhën polarizuese, përçarëse e nxitëse që është bërë tashmë standard i sjelljes së pushtetit. Dhe jemi krenarë për këtë. Duket se rruga e Kosovës është e humbur tashmë. Vendi ynë ka nevojë për një rrugë të re, të tretë. Një që na bën vend normal, zhvillimor e euroatlantik”, ka shkruar tutje i pari i LDK-së.
Tutje ai ka shkruar se Kosova ka nevojë për zgjim kolektiv.
“Prandaj sot vazhdova këtë rrugë. Në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’, zhvillova takimin e tretë konsultativ, këtë herë me profesorë universitarë e me diplomatë. Mes diskutimeve përmbajtësore për udhëkryqin historik të Republikës dhe nevojën e ndërtimit të masës kritike, gjetëm ide e pikëpamje fundamentale për nismën tonë. Ky vend, ky shtet, kjo shoqëri ka nevojë për zgjim kolektiv, e vendosje të binarëve euroatlantik. Ju ftoj në këtë rrugëtim!”.