Lumir Abdixhiku e ka nisur ditën duke vizituar një familje 5 anëtarëshe.
Duke pirë kafen e mëngjesit me ta, kreu i LDK-së ka ndarë hallet e tyre për krizën aktuale ekonomike në vend.
Nga vizita te familja Thaçi, Abdixhiku ka premtuar rritjen e koeficientit në 125.
“Kafen e mëngjesit këtë të premte e piva me familjen e mrekullueshme të Lulzim e Nesibe Thaqi. Si prindër të tre fëmijëve e në pritje të të katërtit, burim të vetëm të të hyrave kanë pagat që marrin nga sektori publik. Si punonjës shëndetësorë, punë të vetme kanë kujdesin për tjetrin. Janë adresa e parë e secilit me hall. Shteti, ndërsa, punë të vetme duhej ta kishte kujdesin për ta.
Pagat e tyre sot vlejnë 50% më pak, se sa para dy viteve; derisa koeficienti i Qeverisë nuk mbulon as për së afërmi inflacionin rekord që ka goditur familje si kjo. Realiteti i hidhur është se, historia e tyre nuk është e vetme. Kjo histori përballjeje ndahet nga familje të panumërta anembanë Kosovës.
Propozimi ynë për koeficient 125 lehtëson përballueshmërinë e familjeve si kjo. Propozimi ynë për heqje të TVSH-së në produkte bazë – bukë, miell, vaj, sheqer, qumësht e vezë – do të bënte jetën e tyre shumë më të lehtë” shkruan Abdixhiku në njoftim.