Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se programi qeveritar tregon mungesën e ambicies dhe përkushtimit për të punuar.
Abdixhiku ka kërkuar përgjigje specifike nga Qeveria dhe kryeministri Albin Kurti, të cilit ia bëri tri pyetje.
“E ftoj Qeverinë e Kryeministrin të na tregojë, sot, këtu, indikatorët kryesorë ekonomik të vendit për mandatin e tij qeverisës. Sa do të jetë rritja ekonomike në katër vjetët e tua? Çfarë rritjeje synon për secilin vit? Çfarë buxheti do të kesh? Ku do ta ndash me prioritet? Nëse në shëndetësi – në rregull – por, sa? Nëse në arsim – në rregull – por, sa? Nëse në rend dhe ligj – në rregull – por, sa? Nëse në investime kapitale – në rregull – por, sa?”, ka pyetur Abdixhiku Kurtin.
Në politikën e jashtme, Abdixhiku tha se Qeveria gjithashtu tregon mungesë vizioni në programin qeveritar.
Në fund, ai u pajtua me synimin e Qeverisë për të ngritur padi kundër Serbisë për gjenocid. Por, Abdixhiku tha që kjo të mos përdoret politikisht, teksa kërkoi që për këtë çështje, Qeverisë i duhet një përgatitje e mirë.
“Përgatitja për padi kapërcen kapacitetet e një Qeverie; sepse para së gjithash, një padi e tillë përfaqëson një popull të tërë – të tërë në plot kuptimin e fjalës. Si e tillë, ajo duhet të përgatitet mirë; aq mirë sa të mos dështojë. Sepse, dështimi më pas është njollë për të ardhmen e përbuzje e pafalshme për viktimat, e gjithë të shkuarën. Prandaj, ju ftoj që të njëjtën të mos e trajtoni për ndonjë poen të përkohshëm politik, por ta trajtoni si obligim të shenjtë për të gjithë. Mos e dështoni këtë padi”, ka thënë Abdixhiku.