Deputetët e Kuvendit të Kosovës mbrëmë me 82 vota për, votuan rrëzimin e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti.
Menjëherë pas këtij vendimi, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, iu drejtua qytetarëve.
Abdixhiku përmes një postimi në Facebook tregoi punët që arriti t’i bënte gjatë këtyre 50 ditëve, si dhe pse u distancua nga beteja politike duke thënë e qëllim i tij parësor ishin punët rreth situatës me COVID-19.
Abdixhiku pati edhe falënderim për kabinetin qeveritar dhe partinë që i takon duke shtuar se “do të punojmë ende – edhe më shumë – që LDK-në ta mbajmë të fortë dhe të drejtë”.
Ai shtoi se shërbimi ndaj shtetit, sidomos në orën më të vështirë, ishte nder, e të jesh ministër i një vendi të shkëlqyer me qytetarë të shkëlqyer është fare e lehtë.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të vendit tim,
Sot përfundoi udhëtimi im i shkurtë në Ministri të Infrastrukturës dhe Ambientit. Fatkeqësisht përfundoi në kohë të përballjes emergjente kur vendit i duhet forcë, qetësi e stabilitet. Këtë forcë ky vend duhet ta rigjejë menjëherë.
Kam abstenuar nga procesi politik i ditëve të fundit sepse kam konsideruar se beteja për jetë në orën më të vështirë të shtetit i mbizotëron të gjitha. Betejën politike, në këtë kohë tani, unë s’kisha si ta bëj dhe s’mund ta bëja; edhe më pak në rol të ministrit. Prandaj me këtë s’u mora.
Udhëtimi në Ministri zgjati vetëm 52 ditë. Ishte udhëtim i vështirë sepse ende pa nisur mirë, jashta çdo parashikimi që mund ta merrja me mend ndonjëherë, u përballëm me krizën më të madhe shëndetësore në njëqind vjet – epideminë COVID-19. Vepruam shpejtë, më shpejtë se shumë shtete me traditë reagimi. Mbyllëm lidhjet ajrore e transportet rrugore me shtetet më me rrezik. Ishim të parët në Evropë që vepruam kështu – dhe ky veprim i hershëm ka shpëtuar jetë. Për mua kjo mjafton si referencë përherë.
Kur mbyllëm gjithçka, nisëm kujdesin ndaj të ngujuarve jashtë që kishin urgjencë. Me organzim, me përgjegjësi, me kujdes. Kthyem prindër që kishin lënë fëmijët vet; kthyem të moshuar, të sëmurë, të posalindur, të posamartuar – kthyem edhe – dhe kjo do të më mbetë plagë përherë – prindër me trupin e fëmijës së pajetë. Jam i bindur se i kemi dhënë kuptim pasaportës së Kosovës shumë më shumë se që mund ta kishim vlerësuar ndonjëherë. Antoni më thoshte se beteja që po bëjmë është e ushtarit që s’len të vetin prapa asnjëherë. E di që ka shumë të tjerë jashtë. Do të kthehen të gjithē. Ka një plan të mirë. Rrini të qetë.
Në këtë kohë të vështirë, siguruam rrjedhën e kanaleve ndërkombëtare për mallra – ushqimi s’duhej ndërprerë. Edhe në këto orë të vona vazhdoj të jem në kontakt telefonik me ministrat homolog të vendeve më të fuqishme prodhuese në Evropë. Vendi mbet i furnizuar mirë; i tillë do të jetë përgjatë gjithë krizës. Pa panik.
Krizën e sotme do ta kalojmë. Sot madje shënuam fitoren e parë në këtë betejë; shërimin e dy të infektuarve. Si vend e si shtet kemi treguar çfarë mundemi. Si shoqëri kemi përcjellur kulturë të lartë kolektive. Sot duhet të jemi me mjekët, policët, ushatrët e shërbyesit e tjerë që mbajnë Republikën tonë në këmbë. Janë heronj të vërtetë!
Të dashur qytetarë,
Ministria e Infrastrukturës e Ambientit s’ka qenë asnjëherë zgjedhje e lehtë; përkundrazi të dy ish ministritë – edhe ndaras – ishin kafshatë e vështirë gjithëherë. Më pyesnin a e ke idenë ku je? Natyrisht. Prandaj e nisëm shpejtë. Të ligën duhet goditur në kokë.
Në ditët e para të punës anuluam tenderin 110 milionësh që ndahej pa mbështetje ligjore e buxhetore. Anuluam vendimin 49 milionësh të punëve shtesë; një vit më parë këto mjete do të jepeshin pa hezitim. Ndalëm gjakderdhjen e tmerrshme financiare në vend që krijonte gjysmë miliardi borxhe. Anuluam vendimin për kushte ndërtimore në Badovc. Propozuam një buxhet që i jepte projekte gjithë Kosovës; pavarësisht preferencave partiake e regjionale – gjithçka për të gjithë. Do të doja të kisha mundësinë që për më pak se një mandat t’i përfundoja gjtihë rrugët që të shpiejnë për Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Podujevë e Gjakovë. Projekte që kishin mbetur në harresë tash e 10 vjet. Të linim një shenjë për gjeneratat e tjera që vijnë pas.
Për vetëm një muaj kohë, me punë bukur të lodhshme por të pandërprerë – edhe natën, në shi e deri herët në mëngjes – hapëm rrugën në Veternik; vendpunishtën më të ngarkuar në Kosovë. Ishte ndjenjë e mirë. Ishte shenjë e mesazh për secilin projekt.
Dita e parë dhe e fundit e punës na gjetën me borē. Lajm i mirë për ujërat, punë për pastruesit e rrugëve. Reaguam me kohë. Hapëm rrugë, mirëmbajtëm autostrada, prekëm dhe viset më të paprekura në Kosovë. Ndërtuam sistem. Ky sistem edhe sonte vazhdon të pastrojë.
Rreth vetes ndërtova një ekip me njerëz të shkolluar, profesionistë e të përkushtuar. Me ta bashkë në kabinet treguam ndjesi ndaj parasë publike. I dhamë të 7 veturat e kabinetit – të dedikuara po për këta këshilltarë – në shfrytëzim të Inspektoriatit. Inspektorët i kishin deri atëherë vetëm 5 sosh. Ndërpremë praktikën e kontratave mbi vepër, shfuqizuam rregulloret e paligjshme, thyem ndikim e parapolitikës në ministri. Për një muaj kohë, shpenzuam vetëm 588 euro. Plot 14,000 euro ishin shpenzuar muajin e njëjtë një vit më parë. Alban, Lule, Krenar, Argjenta, Verona e Iriad ju faleminderit.
Takova organizata ndërkombëtare, donatorë e ambasadorë të vendeve më mike në Kosovë. Rikthyem projekte qindramilionëshe në infrastrukturë, transport, ujëra e mjedis që nesër e transformojnë Kosovën rrënjësisht. Disa nga këto projekte ishin shpërfillur turpësisht. Mjetet që s’ishin nën kontrollë të kapjes s’përbënin interes për kapësit. Vetëm kur je brenda e kupton se sa e rëndë është gjendja.
Për aq sa zgjati, dua të falenderojë kabinetin qeverisës për bashkëpunim. Kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat e zëvendësat e mi, me të cilët ndamë momente të vështira në menaxhim krizash e ndërtim politikash. Në veçanti dua ta falenderojë ministrin Vitia. Me Arbenin që nga shpërthimi i pandemisë, na ra të ndanim ide, komunikonim halle, e të bënim zgjidhje të shpejta për probleme me të cilat s’ishim ballafaquar asnjëherë. I falenderojë poashtu deputetët e shumicës e Kryeparlamentaren Osmani që ishte mbështetëse e ministrisë sonë. Në veçanti, falenderoj LDK-në dhe Kryetarin Mustafa që më dha mbështetjen partiake aq të domosdoshme për të bërë punët mirë. Do të punojmë ende – edhe më shumë – që LDK-në ta mbajmë të fortë dhe të drejtë.
Të dashur qytetarë,
Kuvendi më dha mandat; Kuvendi ma morri po këtë mandat. Shpresoj të kem plotnuar pritjet tuaja në mes të këtyre dy vendimeve. Shpresoj e dua të besoj gjithashtu se rrugëtimi i ndërprerë do të vazhdojë njejtë nga kushdo që vjen pas tani. Kam parë njerëz të jashtëzakonshëm në shërbim publik që krejt çfarë duan është një mundësi. Kam parë shpresë e kërkesë për ndryshim në secilin komunikim jashtë.
Këtë shpresë duhet ruajtur.
Për mua, shërbimi ndaj shtetit – sidomos në orën më të vështirë të tij – ishte nder. Të jesh ministër i një vendi të shkëlqyer me qytetarë të shkëlqyer është fare e lehtë. Do të kujdestaroj këtë detyrë me vullnet të njëjtë.
Tani, dua t’i kthehem dy vajzave të mia, Erës e Rozit, të cilat ka kohë që s’i kam parë e ka kohë që i kam lënë pas. Shpresoj të më kenë kuptuar sado pak./telegrafi/