Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë që të ndajë nga 100 euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit publik e privat.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka thënë se Qeveria po e zëvendëson mungesën e politikave zhvillimore të investimeve të mëdha kapitale në vend me populizëm.
Sipas tij, 100 milionë euro janë para të humbura me një vendim, pasi që thotë se kjo politikë sociale është pa efekt.
“Përveç se e padrejtë, kjo politikë sociale është edhe pa efekt. Në njërën anë 100 euro për vetëm një muaj, s’zbusin asgjë; në anën tjetër 100 milionë euro gjithsejtë janë para të humbura me një vendim. Nuk besoj se ka pasur, ka e do të ketë diku tjetër në botë ndonjë politikë kaq të madhe me kaq pak ndikim. Popullzimi këtë ka. Blenë paqe sociale duke ushqyer varfërinë”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka kritikuar ashpër kryeministrin e vendit, Albin Kurti, për të cilin tha se sot dëshmoi se nuk ka ide e as njohuri për zhvillim, duke e quajtur “ekspert – tani i komunikacionit rrugor dhe gjurmëve në asfalt”.
“Albin Kurti sot dëshmoi përfundimisht se nuk ka ide e as njohuri për zhvillim. Beson se me intervenim një mujor, mund ta bëjë të harrohet kriza e përballueshmërisë. Me 100 euro s’blihet shtrenjtimi i rrymës për 100%. Me 100 euro s’blihen vizat e punës për 120 mijë kosovarë. Me 100 euros s’blihet inflacioni dyshifror që vazhdon edhe përtej këtij muaji të shënojë rritje rekord. Me 100 euro s’blihen pagat e ulëta në sektorin privat e publik pa dallim. Me 100 euro nuk blihet papunësia, nepotizmi, mungesa e investimeve e regresi shoqëror. Politika zhvillimore është art. Këtë art, eksperti – tani i komunikacionit rrugor dhe gjurmëve në asfalt – s’ka se si ta kuptojë”, shkroi tutje kreu i LDK-së.