Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti lidhur me deklaratën se nuk ka pranuar informata për procesin e dialogut me Serbinë, duke i thënë se ka pranuar raportin me 29 faqe.
Abdixhiku ka shkruar në Facebook se dokumentet e dialogut të janë dhënë ditën e pranimit të detyrës.
“Është ajo dosja e kaltërt që pason me dorështrëngim nga paraardhësi yt. Aty i ke 29 faqe raport. I ke edhe dokumentet e dakorduara në secilin takim. E ke pozicionin politik të Kosovës, e analizën e ekspertëve – të njëjtëve që i ke angazhuar tani për konsultim. Nëse s’i mbanë mend, ke mundur të pyesësh. Nëse i ke humbur, ke mundur t’i kërkosh sërish. Nëse të janë dashur informata shtesë nga njerëzit e mi në LDK, jemi pesë minuta larg në Prishtinë. S’jemi të huaj kur është në pyetje vendi. E duam barabartë të gjithë. Ke mundur ta bësh secilin hap ndryshe përveç ankimit para miqve jashtë. Trego përgjegjësi. S’je më opozitë. Tani je Kryeministër. Udhëheq si i tillë”, ka shkruar ai.