Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është hap i domosdoshëm për shtetin dhe integrimin e synuar drejt familjes euroatlantike.
Ai, tutje tha se partia të cilën e udhëheq, do ta mbështesë këtë proces në të gjitha kapacitetet e saja politike.
“Si anëtarë të EPP-së, ne do të shfrytëzojmë të gjitha kanalet komunikuese tona në këtë drejtim. Prandaj sot, menjëherë pas aplikimit zyrtar, kam nisur një letër në drejtim të Presidentit të EPP Donald Tusk”.
“Në këtë letër kam kërkuar mbështetjen e parezervë të familjes sonë evropiane për aplikmin e Kosovës; mbështetje e domosdoshme në Komitetin e Ministrave e në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës – aty ku deputetët e EPP-së përbëjnë grupin më të madh politik sot”.
“Këtë mesazh do ta përcjellë edhe nga afër në Kongresin e radhës së EPP-së që do të mbahet këtë muaj në Rotterdam. Aty unë dhe LDK do të kemi rastin e adresimit me fjalë e të takimeve me udhëheqës shtetëror e liderë të partive anëtare të EPP-së nga e gjithë Evropa”, ka shkruar Abdixhiku.
Tutje, Abdixhiku tha se LDK beson se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës forcon demokracinë, siç edhe ndikon, sipas tij, në stabilitetin rajonal për të gjithë Ballkanin Perëndimor. /Zëri