“Më 9 shkurt vonesat infrastrukturore marrin fund edhe në Kosovë”, ka shkruar kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, teksa ka vizituar disa rrugë të kryeqytetit.
Gjatë ditës së sotme, Abdixhiku ka vizituar punimet që po zhvillohen në lagjen e Velanisë, teksa ka thënë se aty po bëhet transformim rrënjësor jo vetëm për atë lagje, por për secilin qytetar që ka kaluar andej, shkruan Gazeta online Reporteri.net.
“Më 9 shkurt vonesat infrastrukturore marrin fund edhe në Kosovë! Historia rrugore e Kosovës do të kompletohet brenda një mandati të vetëm. Tjetër tempo, tjetër mendësi, tjetër angazhim!. I tillë është projekti në Velani. Secili që ka marrë rrugën nga udhëkryqi i Taslixhes për në Velani e të dal sipër në Breg të Diellit apo Mat, është dashur të kalojë nëpër njërën nga katër rrugicat e lagjes – mu pranë shtëpive. Kolona të gjata, pasiguri për banorë e vonesa për secilin tjetër që s’kishte alternativë tjetër. Sot, vizitova punimet që po zhvillohen aty. Dinamizëm i madh. Entuziazëm mes banorëve. Rrugë e re, dy kahore, me trotuare e ndriçim. Transformim rrënjësor jo vetëm për banorët e Velanisë, por për secilin qytetar që ka kaluar andej. Banorët më thanë se ende nuk po e besojnë se kjo po ndodhte. Për ta, kjo ishte një ide sa e bukur aq edhe e pamundur”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Madje sipas Abdixhikut, në infrastrukturë, ndonjëherë, ka projekt që duket aq i thjeshtë, dhe është i thjeshtë, por në thelb bën ndryshime të mëdha.