Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, ka propozuar formimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit me afat të caktuar, si zgjidhje për krizën e thellë institucionale në vend.
Abdixhiku e cilësoi këtë qeveri si një domosdoshmëri për të dalë nga kriza dhe si një hap që kërkon përgjegjësi, unitet dhe vetëdije të lartë politike nga të gjitha forcat parlamentare.
“Sot vendi është në krizë të thellë – në krizë të thellë institucionale, kryesisht për shkak të dështimit të partisë së parë të krijojë partneritete politike për krijimin e një shumice. Dhe zgjidhjen nga kjo bllokadë, LDK-ja e konsideron të domosdoshme, të rëndësisë nacionale për Republikën e Kosovës. Në përputhje me këtë, LDK-ja dhe unë si kryetar i saj, propozojmë nisjen e një procesi të ri politik, dhe kjo zgjidhje kërkon edhe përgjegjshmëri, edhe unitet, dhe mbi të gjitha kërkon vetëdije të lartë politike në vend. Në përputhshmëri me këtë, LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi, fillimisht konsultativ, me të gjitha partitë politike shqiptare, me qëllim formimin e Qeverisë Nacionale të Tranzicionit. Pra, LDK-ja kërkon unitet gjithëshqiptar në këtë periudhë dhe formimin e Qeverisë Nacionale të Tranzicionit – një qeveri me afat të caktuar deri në zgjedhjen e Presidentit të ri. Program, agjendë të qartë shtetërore, të politikës së jashtme dhe të brendshme.” – tha Abdixhiku.