Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ku dështoi zgjedhja e kryeparlamentares së re, Albulena Haxhiu.
Në një postim të bërë menjëherë pas zhvillimeve në Kuvend, Abdixhiku përgëzoi deputetët e LDK-së për qëndrimin e tyre, duke thënë:
“Deputetëve të betuar të LDK-së, dalshi faqebardhë. Urime dhe të gjithë deputetëve të betuar të Kuvendit të Republikës.”
Ai shtoi se seanca e sotme i ka bërë të qarta arsyet e bllokadës institucionale që, sipas tij, kanë zgjatur deri tani.
“Perdet sot ranë! Numrat u panë. Me to dhe arsyet e bllokimit institucional deri tash”, shkroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së theksoi se pas dorëheqjeve verbale të pranuara nga Komisioni Verifikues dhe krijimit të rrethanave të reja, është rekomanduar verifikimi i mandateve të reja, ndërsa ritheksoi përkushtimin e partisë së tij për të mbrojtur rendin kushtetues.
“LDK do të vazhdojë të kujdestarojë dhe mbrojë Kushtetutën para betimit e pas betimit; si sjellje, si besim!”
Në fund të reagimit të tij, Abdixhiku u lut për vendin dhe qytetarët: “Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin tonë!”, ka shkruar Abdixhiku.