Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila ka refuzuar ankesën e ZRRE-së si dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike.
“Tash e 3 muaj, ZRRE dhe Qeveria e Kosovës, kanë faturuar qytetarët tanë kundërligjshëm. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit si dhe ai i Gjykatës Themelore në Prishtinë, konfirmojnë të gjitha argumentet tona rreth faturimit diskriminues dhe të padrejtë të qytetarëve tanë. Këto argumente ishin injoruar nga pushteti. Insistimi i tyre për të mbrojtur një plaçkë publike, ka marrë sot vulën e dyfishtë të paligjshmërisë”, ka thënë ai.
Kreu i LDK-së ka kërkuar që mjetet të kthehen te qytetarët dhe të shkarkohet bordi i ZRRE-së.
“Kthimi i mjeteve tek qytetarët tanë, rishikimi i menjëhershëm i tarifave të energjisë, si dhe shkarkimi i Bordit të ZRRE-së, janë hapa të domosdoshëm që Qeveria e Kosovës dhe Albin Kurti duhet t’i ndërmarrin sa më parë. Sot kërkojmë përgjegjësi publike nga ata që paligjshëm i shtrenjtuan faturat e energjisë; e që mbrojtën me garancë këtë paligjshmëri. Pjesa tjetër e së vërtetës rreth krizës energjetike – të keqpërdorimit të qindra milionave, pagesave në llogari të fshehta, e vonesës në reagueshmëri – do të zbardhen në Komisionin Hetimor Parlamentar”, ka thënë Abdixhiku.