Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka thënë se puna në infrastrukturë nuk kërkon qëndrim në zyrë e aq më pak fjalë.
Ai tha se puna në bërjen e infrastrukturës nënkupton dalje në terren, bërjen e afateve, mbikëqyrjen e punëve e realizimin e afateve të rregullta kohore.
Abdixhiku tha se në planin qeverisës së tij brenda tri vjetësh do të përfundojnë të gjitha rrugët, magjistralet e autostradat, që sipas tij, kanë nisur nëpër dekada në Kosovë.
“Fjalën e kam për autostradën Prishtinë – Gjilan, për autostradën e Pejës, për rrugën Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Podujevë e Dollc-Gjakovë”.
“Po ashtu në planin tonë e kemi edhe ndërtimin e unazës së kryeqytetit, një projekt i madh prej 250 milionë eurove që do ta transformojë rrënjësisht jo vetëm qarkullimin brenda në qytet, por edhe lidhjen e Prishtinës me secilin qytet tjetër të Kosovës”, tha Abdixhiku, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ai tha se unaza e kryeqytetit nuk bëhet me fonde të komunave, por sipas tij, bëhet me ndihmë shtetërore dhe këtë ndihmë, tha ai, pas 9 shkurtit Prishtina do ta ketë.