Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dërguar një mesazh pas përfundimit të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, duke deklaruar se nuk do të ketë tolerancë për ata që, sipas tij, kanë përdorur mekanizma shtetërorë apo mjete të tjera për të trazuar LDK-në.
Abdixhiku tha se mund t’i kuptojë anëtarët që janë përfshirë në procesin e brendshëm me bindjet e tyre politike, por jo ata që kanë vepruar në mënyra të tjera.
“Unë mund t’i kuptoj të gjithë ata anëtarë që janë përfshirë në këtë proces me bindje të drejta, por nuk mund të ketë tolerancë nëse janë përdorur mekanizma shtetërorë apo mjete të tjera për ta trazuar LDK-në”, deklaroi ai.
Duke komentuar edhe përgjimet e publikuara së fundmi, Abdixhiku iu referua drejtpërdrejt kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
“Kanë gabuar rëndë gjithë ata që janë përfshirë në këtë drejtim. Nëse z. Rama është përfshirë në këtë drejtim, ai ka gabuar rëndë. E anëtarësia e LDK-së nuk e fal këtë gjë”, u shpreh Abdixhiku.

