Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku të premten e ka kaluar në kullat dhe odat e Deçanit.
Abdixhiku ka thënë se në çdo bisedë dhe dorështrëngim, po e ndien se durimit të qytetarëve u ka ardhur fundi.
“Kullat e odat e bukura të Deçanit, të pasura me histori e tregime të shumta, u hapën për ne në takimet e sontme në Strellc e në Drenoc. Në mesin e shumë qytetarëve të përkushtuar e punëtorë biseduam për të njëjtat shqetësime e sfida që po i dëgjojmë çdo ditë gjithandej nëpër Kosovë. Familje dhe qytetarë që, përkundër vështirësive të shumta, mbajnë gjallë shpresën për një Kosovë të zhvilluar dhe të drejtë”, ka shkruar Abdixhiku.
“Në çdo bisedë e dorështrëngim, po e ndiejmë se durimit të qytetarëve po i vjen fundi, dhe ata po presin zgjidhje konkrete për problemet që po i rëndojnë. Ata duan rrugë të sigurta, ekonomi të fortë dhe jetë me mirëqenie e dinjitet. Ata e dijnë se këto zgjidhje i ofron vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës, si forca e vetme politike në vend që e ka edhe vizionin edhe programin për një të ardhme më të mirë. Pikërisht për këtë qëndroj unë dhe ekipi im”, ka shkruar ai.
“Me këtë mbështetje dhe përkushtim të ndërsjellë, jemi të vendosur për ta çuar Kosovën përpara. Bashkë me qytetarët tanë, ne do ta bëjmë realitet ndryshimin që e kërkon dhe e meriton vendi ynë”.