Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sot ka reaguar lidhur me raportimet për përfshirjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në një skandal të madh financiar në Slloveni.
Madje, ai thotë se ky skandal dhe zgjerimi i tij në rajon është arsyeja e vërtetë e rezistencës së pushtetit ndaj formimit të Komisionit Hetimor në Kuvend.
“Asnjë arsyetim refuzues i tyre nuk kishte kuptim. As arsyetimi i luftës në Ukrainë, prandaj – merreni me mend – s’duhej të bëhej ky hetim; as preteksti i ligjshmërisë së nënshkrimeve nuk kishin kuptim. Vetëm një hall i madh prodhonte arsyetime të pashpresa si këto. Por sa më i zëshëm refuzimi i tyre, aq më i domosdoshëm bëhej insistimi ynë. Sot, hetimi parlamentar nuk ka alternativë”.
Abdixhiku thotë se ky skandal dhe të tjerat duhet të dalin në pah, derisa shton se kriza energjetike është piramidë keqmenaxhimi e tani edhe krimi.
“Ky skandal, dhe të tjera skandale të renditura në shpenzimin e plot 120 milionë eurove edhe shtrenjtimin e faturave deri në 100%, duhet të gjejnë dritë. Kriza energjetike është një piramidë keqmenaxhimi, neglizhence e tani dhe krimi. Këtë piramidë duhet dhe do ta shembim të gjithë”.
Lideri opozitar insiston se bojkoti votues në Kuvend s’merr fund pa formimin e Komisionit Hetimor për Energji, njofton Klankosova.tv.
Ai thotë se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, duhet të tërhiqet menjëherë.
“Sepse s’ka ligj, s’ka temë e s’ka çështje tjetër më me rëndësi se sa kjo me energji. Do ta zbardhim të vërtetën herët apo vonë. Deri atëherë, tërheqja e menjëhershme e ambasadorit të komprometuar tani, formimi i Komisionit Hetimor, e shkarkimi i Bordit të Rregullatorit – që ende refuzon vendimin e Gjykatës rreth tarifave – janë hapa të parë në këtë drejtim”.