Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi është thirrur një seancë e jashtëzakonshme për orën 11:00.
Ai ka thënë se kjo seancë është thirrur pa asnjë konsultim, as komunikim dhe i ka quajtur LVV-në si “popullistë të rrezikshëm”.
Abdixhiku ka thënë se LDK s’merr pjesë në një seancë të tillë dhe se kundërshton një logjikë të tillë imponimi.
Statusi i plotë:
Popullistë të rrezikshëm.
Të investuar në lojëra, intriga e kalkulime politike.
Zvarritën tetë muaj krijim e shumicës e formimin e institucioneve. Na i humbën edhe 15 ditë të tjera me mandatar kukull që s’bënte asnjë përpjekje për minimalisht qeverisje. Nesër, në ditën e fundit, orën e fundit, afatin e fundit, paskan thirrur dy seanca për urgjencën që e shkaktojnë vet me vonesë.
Pa asnjë konsultim.
Pa asnjë komunikim.
Pa asnjë diskutim.
LDK e refuzon dhe shpërfillë këtë qasje politike. LDK e lufton me gjithë qenien e vet këtë logjikë imponimi. Me krenari, e themi se refuzimi i popullistëve është akti më i lartë patriotik sot.
Prandaj LDK nuk bëhet pjesë e shfaqejeve parlamentare të një pushteti në ikje. Nesër nuk marrim pjesë fare në seancën e imponimit teatral të orës 11:00-të. Mblidhuni vet; i bëni muhabet vetes. Luftën me mullinjtë e erës e bëni mirë.
Nesër, nga ora 14:00, votojmë me bindje e krenari kundër pakicës që nuk mund të sillet si shumicë më në këtë shtet.
Nesër nisim pregatitjet për zgjedhjet e reja nacionale dhe ftesën e madhe për përbashkim të secilit që është ngopur me një politikë si kjo, që mendon të shpëtojë shtetin e Republikën nga ata që e shohin atë vetëm si instrument e si lojë karrigesh.
Le t’i fitojmë!









