Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, ku është pritur nga Myftiu Naim Tërnava, raporton Sinjali.
Gjatë kësaj vizite, Abdixhiku ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së vlerave të Ramazanit gjatë gjithë vitit.
“Në emër të gjithë Lidhjes Demokratike të Kosovës, i urova besimtarët për këtë festë të rëndësishme. Shpresoj që vlerat e muajit të shenjtë të Ramazanit të jenë vlera njerëzore të popullit të Kosovës në çdo kohë. Përherë të kujdesemi për njëri-tjetrin, të jemi më solidarë dhe t’iu dalim në ndihmë gjithë atyre që kanë nevojë”, tha Abdixhiku.
Si çdo vit, Bashkësia Islame e Kosovës organizoi pritje përurimi në selinë e Kryesisë, ku liderët politikë u mirëpritën nga myftiu Naim Tërnava.