Knut Abraham, deputeti i Bundestagut gjerman, është shprehur goxha kritik ndaj procesit të dialogut që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë për më shumë se 11-vjet.
Abraham ka propozuar që të ndërpritet procesi aktual i dialogut Kosovë-Serbi, nën ndërmjetësimin e BE-së, dhe në vend të tij, Unioni të fillojë dy procese bisedimesh – një me Kosovën dhe një tjetër me Serbinë – ndaras nga njëri-tjetri.
“Ky dialog i ri duhet të përfshijë rrugën e integrimit të secilit vend në BE. Procesi duhet të bazohet në merita dhe qëllimi përfundimtar duhet të arrihet brenda disa viteve të ardhshme”, tha Abraham për Klanin.
Ai foli edhe për Asociacionin, për të cilin deklaroi se zyrtarët shtetërorë nuk mund ta kryejnë këtë punë. Sipas tij, Asociacioni “duhet të themelohet nga komuniteti serb në Kosovë”.
Ndër të tjera, deputeti gjerman ka dënuar sulmin në kanalin kryesor të ujit në “Ibër-Lepenc”, duke e drejtuar gishtin kah Serbia dhe Rusia, si fajtore potenciale.
“Për shkak të marrëdhënieve të ngushta mes Rusisë dhe Serbisë dhe vizitës së rregullt të zëvendëskryeministrit serb Alleksandar Vullin në Moskë, nuk mund të përjashtohet as përfshirja ruse” në këtë rast, u shpreh ai.
Ai tutje tha se gjendja aktuale e dialogut nuk çon askund, BE dhe shtetet anëtare duhet t’i japin fund procesit të dialogut të rremë.
“Gjendja aktuale e dialogut nuk të çon askund. Por kjo ofron gjithashtu një mundësi për udhëheqjen e re të BE-së dhe shtetet anëtare. Ata duhet t’i japin fund procesit të dialogut të rremë dhe në vend të kësaj të nisin dy dialogë bilateralë me Kosovën dhe Serbinë veç e veç”, tha Abraham.
Deputeti gjermani tutje tha se sulmi në “Ibër-Lepenc” ishte i realizuar nga aktorë shtetërorë.
“BE-ja me të drejtë e dënoi atë si një sulm terrorist. Shkalla e sulmit me 20 kilogramë eksploziv, ekzekutimi profesional i shpërthimit dhe lokacioni strategjik i sulmit që mund të kishte reduktuar prodhimin e energjisë në vend me 60 për qind dhe të kishte ndikuar në aksesin e ujit deri në 40 për qind të popullsisë, tregon se është realizuar nga aktorë shtetërorë. Pas përfshirjes së Serbisë në sulmin e Banjskës në shtator të vitit 2023, nuk do të ishte çudi nëse edhe këtu Serbia do të ishte pas sulmit. Sulmi i infrastrukturës jetike të civile në dimër, që siguron ujë të pijshëm dhe energji elektrike është një akt terrorist që Rusia po kryen çdo ditë në Ukrainë. Për shkak të marrëdhënieve të ngushta mes Rusisë dhe Serbisë dhe vizitës së rregullt të zëvendëskryeministrit serb Aleksandar Vulin në Moskë, nuk mund të përjashtohet as përfshirja ruse”, u shpreh ai.
Rrugëtimi i Kosovës për në mekanizmat ndërkombëtarë, nuk duhet të ndalet, sipas tij. Hapi i menjëhershëm i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë anëtarësimi në Këshillin e Evropës.