Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu, një vajzë 15-vjeçare nga fshati Zhegër i Gjilanit është zhdukur pa gjurmë, duke shqetësuar familjen dhe të afërmit e saj.
Sipas babait, A.D, më 10 gusht e mitura kishte shkuar për vizitë te halla në komunën e Vitisë. Të nesërmen, më 11 gusht, rreth orës 17:50, ajo e kishte njoftuar se po kthehej në shtëpi, por që nga ai moment nuk është lajmëruar më.
Në momentin e largimit, ajo kishte të veshur një maicë të bardhë, shorce ngjyrë rozë dhe kishte flokë të ngjyrosura në të kuqe.
Familja u bën thirrje të gjithë qytetarëve që mund të kenë informacion për vendndodhjen e saj të kontaktojnë menjëherë Policinë. Rasti është iniciuar si “Person i zhdukur” dhe po hetohet nga njësitë përkatëse.