Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka njoftuar se udhëtarëve nuk do t’u duhet të presin gjatë për t’u procesuar dhe për t’i marrë valigjet e tyre.
Kjo pasi që kompania ‘Limak’ që menaxhon ANP-në ka bërë të ditur se ka implementuar sistemet më të avancuara të teknologjisë.
ANP-ja përmes një komunikate për media ka njoftuar se, falë sistemit ‘Altea’ të ‘Amadeus’ për trajtimin në tokë dhe kontrollit në nisje (DCS) si dhe sistemit të bazuar në ‘cloud’ për trajtimin e bagazheve (BRS), Aeroporti i Prishtinës ka reduktuar shpenzimet operacionale për 20 përqind vetëm gjatë dy muajve të fundit, e në të njëjtën kohë ka rritur performancën gjatë procesimit të udhëtarëve dhe trajtimit të aeroplanëve në tokë.
Drejtori i Operimeve në ANP, Gökmen Aritay është shprehur i kënaqur më këtë avancim.
“Me rritjen e numrit të udhëtarëve, krijimin e linjave të reja dhe duke dashur t’i tërheqim kompanitë ajrore, është me rëndësi thelbësore që të zhvillojmë operime të besueshme, të shpejta dhe me kosto efikase të mbështetura nga një platformë plotësisht e integruar e zgjidhjeve. Kjo është arsyeja pse kemi zgjedhur këto sisteme të Amadeus. Bashkëpunimi me Amadeus na mbështet misionin tonë për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt, si dhe për të rritur vazhdimisht cilësinë e shërbimeve tona ndaj udhëtarëve”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, Yannick Beunardeau, udhëheqës i IT EMA në Amadeus, tha se këto përmirësime po e ulin koston dhe mundësojnë një përvojë më pak stresuese për udhëtarët.
“Jemi të kënaqur që një nga aeroportet më të suksesshme dhe inovative në Ballkan, i njohur për përsosmërinë e tij operacionale dhe përkushtimin ndaj shërbimeve të klientëve, ka miratuar zgjidhje të cilat më tej e përmirësojnë cilësinë dhe efikasitetin e operimeve kryesore të aeroportit”, deklaroi ai.