Ministria e Jashtme i ka bërë sërish thirrje diasporës që të shfrytëzojë ditët e mbetura deri më 31 gusht për t’u regjistruar.
Avni Kastrati nga Agjencia e Statistikave të Kosovës përmes një videoje tha se regjistrimi i diasporës është “vital dhe i rëndësishëm”.
“Ju lus që ta shfrytëzoni këtë mundësi sepse kanë mbetur vetëm edhe disa ditë që mund të regjistroheni përmes sistemit online e-diaspora”.
Deri më tani, në procesin e regjistrimit të popullsisë janë regjistruar mbi 600 mijë qytetarë që jetojnë jashtë Kosovës.
Ndërkaq, në regjistrimin e fundit të mbajtur këtë vit, Kosova ka ka 1.586.659 banorë rezidentë sipas të dhënave preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Rezultatet finale dhe më të detajuara parashihet të publikohen në fund të këtij viti.
Afati i regjistrimit të popullsisë ishte nga 5 prilli deri më 17 maj, ndërsa me kërkesë në disa komuna u shty për një javë, deri më 24 maj.
Këtë herë, procesi u zhvillua me disa ndryshime. Ai u zhvillua edhe në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe përfshin formularë shtesë për dëmet e luftës.
Kushdo që e bojkotoi procesin rrezikon të gjobitet nga 20 deri në 2 mijë euro, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.