Afrim Ajdini u largua ditë më parë nga pozita e trajnerit të portierëve te nënkampioni i Kosovës në futboll, Gjilani.
Ajdini i cili gjatë karrierës si portier kishte luajtur për tri vite te Gjilani (1999-2002), është larguar në mënyrë të papritur prej klubit nga Anamorava, raporton “Zeri.info”.
Largimi i tij nuk ishte pritur mirë nga tifozët gjilanas, derisa klubi nuk vonoi dhe e zëvendësoi Ajdinin me Enver Sermaxhajn.
Në shtabin teknik të Gjilanit, Ajdini ka kryer pozitën e trajnerit të portierëve prej më shumë se dhjetë vitesh, derisa vendimin për t’u larguar e ka pranuar në mënyrë profesionale.
Afrim Ajdini ka zbuluar arsyet që quan deri te largimi nga Gjilani.
“Ma ka konfirmuar drejtori Sevdail Robelli se nuk jam pjesë e klubit, për arsye të kota, nuk ishin të sakta, kinse për arsye se kam biseduar me disa klube për të shkuar atje”, ka deklaruar Ajdini.
“Nuk kam pasur kontakte tjera me klubin, kjo është arsyeja”, tregoi më tej ish-portieri i Gjilanit.
Tutje, ai thotë se ishte befasuas njoftimi për ta larguar, por që Ajdini nuk e ka marrë këtë si “tragjike”.
“Ka qenë befasi, pasi me ta konfirmuar pesë ditë para kampionatit, por e kam pranuar vendimin e klubit, e kam marrë shumë jo tragjike, ata që merren me sport, i dinë këto gjëra”, theksoi Afrim Ajdini.
Sa i përket të ardhmes, Ajdini është duke menduar të pushoj tani për tani, ani pse ka dy oferta.
“Oferta kam, dy klube më janë lajmëruar, por tani po pres, se më ka ardhur kjo me vonesë, sepse kam pasur dy klube më herët, do të pushoj pak. Deri në janar nuk besoj se do të aktivizohem”, tha të enjten për “Zeri.info” Afrim Ajdini. /Zeri.info