FC Prishtina ka kënaqësinë ta prezantojë trajnerin e ri të skuadrës, Afrim Tovërlanin, i cili pas 11 vitesh rikthehet në krye të bardh e kaltërve. “Toki” kthehet në shtëpinë e tij, aty ku ka lënë gjurmë të thella si futbollist dhe trajner.
Tovërlani më herët e ka udhëhequr FC Prishtinën në dy periudha, 2007–2009 dhe 2012–2014, duke arritur rezultate mbresëlënëse. Gjatë katër viteve në drejtimin e klubit, ai i ka dhuruar Prishtinës 7 trofe, përfshirë titullin e kampionit, Kupën e Kosovës dhe Superkupën, duke u renditur ndër trajnerët më të suksesshëm në historinë moderne të klubit.
Përveç arritjeve si trajner, Afrim Tovërlani ka një histori të pasur edhe si futbollist i FC Prishtinës. Gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta, ai ishte një prej figurave kyçe të skuadrës, madje edhe kapiten për një periudhë të gjatë. Me fanellën bardh e kaltër, Tovërlani ka fituar edhe trofe të rëndësishëm si futbollist, duke kontribuar në periudhat më të lavdishme të klubit.
FC Prishtina i uron trajnerit Tovërlani mirëseardhje dhe shumë suksese në detyrën e tij të re, me besimin se përvoja dhe profesionalizmi i tij do t’i rikthejnë klubit lavdinë dhe trofetë që tifozët i presin me entuziazëm.









