Në territorin e Kosovës, afro 31 mijë persona janë deklaruar si analfabetë. E me arsim të lartë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prijnë femrat.
30 mijë e 902 persona në Kosovë, janë analfabetë.
Pjesa më e madhe e tyre, janë femra, me 73%.
E 24 mijë e 408 persona, janë pa nivel të përfunduar të arsimimit që dijnë shkrim – lexim.
Kështu tregojnë të dhënat nga regjistrimi i popullsisë.
Shifra të tilla, vlerësohen si shqetësuese.
“Kosova ka investuar në mjete për ta eliminuar këtë dukurie, mirëpo prapë janë shqetësuese, do të thotë shifrat. Duhet punuar shumë më tepër, duhet investuar shumë më tepër. Posaçërisht është shqetësues fakti se komunitetet pakicë, janë në numër të konsiderueshëm që i takojnë kësaj kategorie”, tha njohësi i arsimit, Argjend Osmani.
Mirëpo, sa i përket arsimit të lartë, prijnë femrat me 50.35%.
Rrjedhimisht, është përmbysur përqindja e regjistrimit të vitit 2011, ku meshkujt kryesonin me kryerjen e arsimit të lartë me 63%.
Kjo konsiderohet se shpërfaq rritjen e emancipimit.
“Në regjistrimet e 81-tës të popullatës, shumica prej 17% të analfabetëve, kanë qenë të gjinisë femërore. Kështu që, është rezultat i emancipimit të gruas shqiptare, për shkak se vet fakti se është përqindja më e madhe me arsim të lartë, do të thotë që kemi një ngritje shumë të lartë të emancipimit”, tha njohësi tjetër i arsimit, Ismet Potera.
Ndërkohë, 15 mijë persona nuk janë deklaruar në lidhje me arsimimin e tyre./teve1/