Më 24 mars në ora 09:00 të mëngjesit, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është dashur të jetë në sallën e gjyqit në Gjykatën Themelore në Prishtinë për seancën e parë të rigjykimit të tij. E megjithatë, seanca nuk u zhvillua për shkak të mungesës së Agim Ademit. Avokati i tij, Labinot Murati, i pranishëm në sallë, kishte kërkuar shtyerjen e seancës me arsyetimin se Agim Ademi ndodhej në Turqi për shkak të një familjari të sëmurë. Bile, për këtë, avokati Murati kishte paraqitur edhe raportet mjekësore të familjarit të Ademit si provë. Mbi këto baza, gjykatësja e rastit, Medije Bytyqi, kishte aprovuar kërkesën për shtyerje të seancës për një afat të pacaktuar.
Por, kryetari i Federatës, Agim Ademi, në kohën kur kjo ngjarje po zhvillohej nën drejtimin e gjykatëses Medie Bytyqi, ndodhej në Prishtinë, pikërisht në zyrën e Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila gjendet ngjitur me Stacionin e Jugut të Policisë së Kosovës në Prishtinë.
Agjenda e Agim Ademit atë ditë ishte e ngjeshur. Ai kishte qene prezent pasdite edhe në hotelin Emerald ku po qëndron Kombëtarja e Kosovës, dhe më pas kishte shkuar në Stadiumin Fadil Vokrri pak para orës 20:45 për ndeshjen miqësore Kosovë – Lituani. Kishte qëndruar në stadium deri në përfundim të saj, pavarësisht raportimeve të mediave për vënien në lajthitje të gjykatës, raporton Gazeta Sheshi.
Burimet nga Federata e Futbollit e Kosovës tregojnë gjithashtu se të nesërmen, 25 mars, e edhe sot, 26 mars, Agim Ademi është treguar plotesisht mospërfillës ndaj organeve të drejtesise, dhe është paraqitur si në zyrë poashtu edhe në Hotelin Emerald ku po vazhdon të qëndrojë Kombëtarja e Kosovës.
Por kjo nuk është hera e parë që kryetari i Federatës së Futbollit, Agim Ademi, vë në lajthitje organet e shtetit.
Agim Ademi ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 9 muaj burgim, vendim i cili ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit ne shkurt 2020. Agim Ademi ishte urdhëruar që më 18 qershor 2020 të fillonte vuajtjen e dënimit. Me kërkesë të Agim Ademit, për shkaqe shëndetësore, vujatja e dënimit ishte shtyrë për 3 muaj. Njëjtë sikur në seancën e rigjykimit më 24 mars 2021, ai kishte paraqitur raportet mjekësore. Por, Agim Ademi nuk e kishte ndalur aktivitetin e tij gjatë gjithë kohës sa ishte dashur të ishte në burg. Ai kishte vazhduar të paraqitej në zyrën e tij cdo ditë, dhe të zhvillonte aktivitete të cilat janë promovuar haptazi në faqen zyrtare te Federatës së Futbollit të Kosovës dhe në mediat kosovare. Kishte zhvilluar madje edhe takime me zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës. Në disa paraqitje televizive kishte deklaruar poashtu se aktiviteti i tij i perditshëm është ecja në parkun e Gërmise. Nuk ka pasur asnjë masë nga autoritetet e Kosovës ndërkohë kur i gjithë ky aktivitet i ngjeshur i Agim Ademit, i cili kishte deklaruar se ka probleme shëndetësore, zhvillohej haptazi, nën hundën e tyre. Në ndërkohë, më 25 gusht 2020 Gjykata Supreme e Kosovës kthen rastin në rigjykim.
Federata e Futbollit e Kosovës, ndërkaq, ishte treguar plotësisht indiferente dhe, në kundërshtim me statutin e saj, nuk kishte ndërmarrë as edhe një veprim të vetëm për shkarkimin e Agim Ademit nga pozita e kryetarit. Madje, Komiteti Ekzekutiv i saj, kishte dhënë edhe një opinion mbi vendimin e gjykatës: „KE analizoi edhe cështjen e dënimit të presidentit Agim Ademi nga ana e Gjykatës së Apelit, duke konsideruar se dënimi i tij është i padrejtë. KE me unanimitet të plotë i dha përkrahje presidentit që të vazhdojë të ndjekë rrugët ligjore të lejueshme për ta zbardhur rastin deri në instancën e fundit – Gjykatën Supreme“ (deklarata nga komunikata e FFK-se, mbledhja e datës 20 mars 2020).
Ademi ishte shpallur fajtor për veprën penale, detyrim në tentativë dhe ishte dënuar me nëntë muaj burg, Agim Ademi dhe Muharrem Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMË X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.
Seanca për rigjykimin e Agim Ademit është shtyrë për një kohë të pacaktuar. Mbetet të shihet se si do të reagojnë autoritetet e shtetit në vijim të këtyre ngjarjeve si dhe veprimeve të Agim Ademit.
Agim Ademi mban postin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës nga 6 korriku 2018. Ai në këtë post ka ardhur pas Kryetarit Fadil Vokrri, vdekja e të cilit e la këtë pozicion vakant. Sipas statutit të FFK-së, personi i zgjedhur do të duhej të ushtronte funksionin vetëm për pjesën e mbetur të mandatit. Megjithatë, Federata e Futbollit e Kosovës nuk i zbatoi dispozitat e statutit të saj, dhe injoroi mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të Federatës, ndërkohë që mbajti vetëm zgjedhjet për Komitetin Ekzekutiv, duke krijuar kështu një situatë tërësisht të pazakonshme ku, në kundërshtim me statutin e Federatës së Futbollit të Kosovës, mandati i Kryetarit dhe ai i Komitetit ekzekutiv janë në shpërputhje kohore. E për më tepër, mandatet e dala janë gjithashtu në shpërputhje me ato të KOK-ut dhe ciklit olimpik.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në shtator të vitit të kaluar kishte nxjerrë një qarkore sipas së cilës obligohen që të gjitha Federatat të mbajnë kuvendet e punës dhe kuvendet zgjedhore përpara 25 marsit 2021 dhe t’i zgjedhin organet drejtuese përpara zgjedhjeve të Komitetit Olimpik të Kosovës. MKRS kishte paralajmëruar sanksione ligjore të parapara me Ligjin në fuqi për Sportin, në rast të mosrespektimit të kësaj qarkoreje. Federata e Futbollit e Kosovës e ka shpërfillur plotësisht kërkesën e MKRS-së.
Sekretari Gjeneral, Eroll Salihu, në një intervistë dhënë Kanal 10, raportimet e mediave i kishte quajtur tendencioze, dhe temen e zgjedhjeve „të konsumuar“.