Nuk mund ta besoj që kanë kaluar dy vjet që nuk e kemi afër vetes mikun tonë Zekirja Shahini. Ai ishte një person i jashtëzakonshëm, i cili dha shumë për futbollin dhe për Kosovën në përgjithësi. Në çdo takim me të, Zeki fliste me pasion e me zemër për futbollin dhe për lojtarët kosovarë, duke i frymëzuar ata që të veshin fanellën e Kombëtares dardane, në mënyrë që të ndjehen më të vlerësuar tek kombi i tyre.
Muajt e vitet kalojnë, por mungesa e Zekit bëhet gjithnjë e më e madhe për të gjithë ne që e njohëm. Ai ishte më shumë se një mik. Ishte një burrë i madh, me zemër të pastër dhe dëshirë të madhe për t’i ndihmuar njerëzit.
Zeki gjithmonë kishte buzëqeshje të çiltër dhe fjalë të mira për t’iu thënë njerëzve, madje edhe kur vetë ndodhej në momente të vështira si pasojë e sëmundjes që e kishte kapluar.
Nëse do të duhej ta përshkruaja Zekin me një fjalë, atëherë pa dyshim ajo do të ishte “Atdhetar”. Kjo, pasi ai kishte një pasion të jashtëzakonshëm për Kosovën si shtet dhe për futbollin e saj. Ai ishte shembulli më i mirë i një njeriu të përkushtuar për vendlindjen. Puna dhe angazhimi i madh në biznesin e tij nuk e ndau asnjëherë nga shërbimi për shtetin dhe kombin e tij.
Fjalët e tij dhe pasioni që ai kishte për fanellën e Kombëtares dardane bën që shumë futbollistë të pranojnë të luajnë për Kosovën pa menduar dy herë.
Sa herë që fliste për Kombëtaren e Kosovës, ai mbushej me emocione dhe entuziazëm. Gjithmonë ndjehej krenar që kishte pasur mundësinë për të ndihmuar procesin e anëtarësimit në UEFA e FIFA dhe ndërtimin e ekipit kombëtar të Kosovës.
Nuk ka fjalë për të shprehur se sa na mungon pasioni dhe dëshira e tij, por ai do të mbetet gjithmonë në zemrat tona dhe në historinë e futbollit të Kosovës.
Pusho në parajsë Zeki! Ne, do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për ta jetësuar ëndrrën tuaj dhe të shumë gjeneratave – kualifikimin në Evropian!