Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka pritur sot në takim Bhaveshan Moorghen, Menaxher i Lartë për Strategjinë e Teknologjisë në Futboll në Departamentin e Inovacionit të FIFA-s.
Moorghen po qëndron në Kosovë për të parë nga afër funksionimin dhe zhvillimin e sistemit VAR në futbollin kosovar, për të cilin është përgjegjës në kuadër të FIFA-s për mbështetjen dhe koordinimin e projektit.
Gjatë takimit, përfaqësuesi i FIFA-s pati mundësinë të njihet nga afër me organizimin, punën dhe funksionimin e ekipit të VAR-it në Kosovë.
Sipas kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, Moorghen ka shprehur vlerësime të larta dhe përshtypje shumë pozitive për punën e ekipit, përkushtimin dhe standardet e arritura deri më tani.
Ademi ka theksuar se ky vlerësim përbën një motivim shtesë për FFK-në që të vazhdojë avancimin e teknologjisë dhe ngritjen e standardeve të referimit në futbollin e Kosovës.










