Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot me homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe pranë bustit të Agim Rashitit është mbajtur akademi përkujtimore në shënim të 30 vjetorit të rënies së dëshmorit, që nga të pranishmit ai u cilësua personalitet me vyrtyte të larta kombëtare, intelektuale, por edhe shkathtësi të dalluara sportive.
Në fjalën e tij, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se Agim Rashiti, idealin dhe kauzën kombëtare e ka bërë realitet.
“Agimi ishte ai i cili nga një familje me taban atdhetarësh, e bëri realitet idealin dhe kauzën kombëtare të cilën ai e realizoi me flijim, ndërsa ne të gjallët po e prekim me lirinë e cila ka themelin e fuqishëm në gjakun e të rënëve për liri. Dëshmori Rashiti, ka qenë i dashur për të gjithë ne, ai përpos veprës së pashlyeshme që ka si dëshmorë i kombit, ka qenë një vlerë e çmuar edhe në fushën e sportit si kampin i shpallur në fushën e boksit në mesin e të rinjëve”, ka thënë Ismajli.
Ndërsa, në aspektin historik, profesori Blerim Haziri ka folur për prejardhjen e familjes Rashiti dhe zhvillimit e lëvizjet e saj nëpër pjesë të ndryshme të trojeve shqiptare duke përshkruar historikun që nga viti 1878 e deri në rënien heroike në oborrin e Spitalit Regjional ku u qëllua nga një snajper i okupatorit serb.
Për të përshëndetur të pranishmit në skenën e kësaj akademie është paraqitur vajza e dëshmorit Majlinda Rashiti, e cila tha se kontributi dhe gjaku i dëshmorëve na bënë krenar dhe borxhlinjë në të njëjtën kohë ndaj tokës së besës dhe shpresës.
Ajo më tej në emër të familjes ka ndarë mirënjohje për kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me motivacionin për përkujdesjen e vazhdueshme ndaj dëshmorëve dhe të rënëve për liri, e në veçanti dëshmorit Agim Rashiti.