Me kujdes po i përcjell debatet e 6 kandidatëve për garën e të parit të Gjilanit. Tri debatet që i kam përcjellur deri më tani në tri televizione të ndryshme, pothuajse kan qenë të njejta. Do të ishte mirë që edhe televizionet të bëjnë një marrëveshje mirëkuptimi dhe debatet ti ndajnë sipas fushave, për shembull nëse në një televizion është folur për shëndetësinë, në televizionet tjera të flitet për ekonomi, arsim apo për fushat tjera specifike. Është e pamundur që 6 kandidatët brenda dy orëve që i bije më pak se 20 minuta për secilin kandidat, duke llogaritur edhe kohen e moderatorëve të shpalosin të gjithë programin 4 vjeçar.
Nga debatet e deritanishme kanë dominuar temat për shëndetësi kryesisht menaxhimit të situates me COVID 19, arsimin dhe shumë siperfaqësisht është përmendur zhvillimi ekonomik lokal dhe bujqësia.
Kandidatët po merren shumë me të kaluarën dhe nuk po shpalosin programin e tyre 4 vjeçar, që mendojnë ta realizojnë nëse fitojnë. Shumë flitet në debate për keqpërdorime por pa fakte, është mirë që kandidatët që kanë fakte ti dërgojnë ato në organet e drejtësisë dhe jo ta marrin kohen e shpalosjes së programeve të tyre.
Ajo që ju intereson më tepër qytetarëve është mirëqenia ekonomike dhe sociale. Nuk ka mirëqenie ekonomike dhe sociale nëse nuk ka zhvillim ekonomik.
Në asnjë debat deri më tani nuk u prezantua plani për zhvillimin ekonomik. Çka kanë paraparë kandidatët për zhvillimin e bizneseve dhe krijimin e kushteve për të bërë biznes në komunën e Gjilanit.
Bizneset ballafaqohen me probleme bazike, mungon fuqia punëtore profesionale. Cili është plani i kandidatëve për kryetarë në rast liberalizimi të vizave, për të ruajtur fuqinë punëtore, cilat janë lehtësirat që do tu bëhen bizneseve për përballimin e kësaj situate. Ne edhe tani kur po shkruajm ballafaqohemi me mungesë të punëtorëve profesional.
Cili është plani për bizneset qe merren me gastronomi, si do të menaxhohen ankesat e banorëve ndaj gastronomisë për zhurmen dhe orarin e lokaleve që janë në zonat e banjara me qytetarë.
Gjilanit i mungon edhe një strategji zhvillimore për turizmin. Nga 12 muaj të vitit 6 muaj janë me turistë nga diaspora të cilët vijnë për pushime në familjet e tyre. Dihen remitencat nga mërgimgarët, po si do të veprohet në mobilizimin e kapitalit financiar për të investuar në komunen e Gjilanit.
Cili është plani për gratë ndërmarrëse, a do të subvencionohen bizneset start up me pronare femra. Të gjitha këto do të ndikonin në rritjen e mirëqenies sociale te qytetarët e Gjilanit dhe nuk do të kishte nevojë për ndihma sociale.
Po flitet për smart city, por nuk po shoh ndonjë plan për digjitalizimin e parkingjeve publike dhe nuk ka një plan për menaxhimin e parkigjeve publike.
Cilat janë projektet që janë planifikuar me partneritet publiko privat.
Bujqësia është një nga sektoret më të rëndësishme, cilat do të jenë planet për të ardhmen, a mjafton buxheti për subvencionimin e fermerëve. Cili është plani për investimet kapitale në fushën e bujqësisë.
Deri më tani përveq simpatisë ndaj klubeve të futbollit asnjë plan për mirëmbajtjen e fushes dhe stadiumit në përgjithësi pas ndërtimit të stadionit të qytetit. A do ta përballon dhe a është e nevojshme barra financiare për ta mirëmbajtur stadionin nga komuna e Gjilanit, apo duhet të shqyrtohet mundësia për dhënie me partneritet publiko privat, ku investitori do të kujdesej shumë më mirë për stadiumin dhe jo të mbetet si në Mitrovicë. A ka plan për transferimin e klubeve sportive nga ato publike në klube private.
Të gjitha premtimet duhet të bazohen në buxhetin e planifikuar për vitin 2022 dhe në vlersimet e hershme për 3 vitet e ardhshme. Me një buxhet prej 29 milion euro që janë planifikuar për vitin 2022 e ku 55% shkojnë për paga, vështirë për të premtuar pa planifikuar mirë.
Në fund uroj që të fitoj kandidati i cili i bind qytetarët për programin më të mirë. Suksese të gjithë kandidatëve!