Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar fyerjet dhe kërcënimet e përsëritura të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi drejtuar mediave.
Kurteshi në një përgjigje drejtuar gazetares u është përgjigjur me fjalët “Ju jeni media kriminale, të vrasësve me pagesë”.
Këtë deklaratë, AGK e konsideron të papërgjegjshme, të papranueshme dhe të rrezikshme.
“AGK-ja e konsideron këtë deklaratë si të papërgjegjshme, të papranueshme dhe të rrezikshme. Akuza e tillë, e paprecedent ndaj një medie, nga një zyrtar i lartë i partisë në pushtet, jo vetëm që cenon lirinë e shtypit, por rrezikon edhe sigurinë e gazetarëve. Për më tepër, Kurteshi ka përdorur edhe gjuhë seksiste, duke i thënë gazetares “ta hangsha loçkën”, një shprehje e padenjë dhe e papërshtatshme për çdo komunikim institucional”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Ndërkohë, AGK-ja i ka bërë thirrje LVV-së që të sigurojë që përfaqësuesi i saj në KQZ të mos pengojë punën e gazetarëve dhe të përmbahet nga gjuha fyese dhe kërcënuese ndaj mediave.