Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka kërkuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që të jap qëndrimin e saj publik rreth Ligjit të KPM-së.
“AGK-ja, kërkon nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani – Sadriu, që të formojë qëndrim rreth këtij ligji dhe ta ndajë atë me publikun dhe të mos kufizohet vetëm tek roli i saj formal i dekretimit të ligjeve”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
Derisa, për këtë ligj kanë reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe shumë prej përfaqësive të huaja diplomatike në Kosovë, duke vënë në pah që ligji nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Evropës.
“Mediat e lira dhe pluralizmi medial janë gurëthemeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundët seriozisht atëherë Presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht. Nga Presidentja pritet që të deklarohet publikisht dhe të ndërveprojë me institucionet e tjera vendimmarrëse në mbrojtje të lirisë së medias dhe shtypit si bazament i një demokracie të shëndoshë të një shteti që aspiron integrimin në BE”, thuhet në njoftimin e AGK-së
Ndryshe, javën e kaluar në seancën plenare të Kuvendit, është miratuar Ligji për KPM-në nga shumica e deputetëve të Kosovës.