Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes një njoftimi për media, shpreh shqetësim për, siç thotë, mënyrën e largimit nga puna të dy kolegëve, Arben Rexhepi dhe Ervin Behluli, të cilët prej vitesh punonin në RTV Dukagjini.
“Dy punëtorët u njoftuan për shkëputje të kontratës, përmes një emaili nga drejtori i këtij mediumi, Ermal Panduri pa arsyetime të qarta dhe pa u respektuar afatet kohore të përcaktuara me Ligjin e Punës, në rast të shkëputjes së marrëdhënies së punës. Arben Rexhepi dhe Ervin Behluli kanë punuar prej rreth 20 vitesh në RTV Dukagjini dhe ishin pjesë e stafit themelues të kësaj medie”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Përmes reagimit, AGK-ja e konsideron se mënyra e largimit të tyre nga puna është shkelje e rëndë e të drejtave të punëtorëve dhe njëkohësisht rëndon edhe më shumë ambientin në të cilin punojnë gazetarët në Kosovë.
“AGK ka kërkuar përgjigje nga drejtori i RTV Dukagjinit z. Panduri rreth procedurave ligjore të ndjekura me rastin e largimit nga puna e dy punëtorëve në fjalë, mirëpo deri më tani nuk ka marrë shpjegim nga ana e tij. AGK kërkon nga drejtuesit e RTV Dukagjini që t’i shfuqizojnë këto vendime, në mënyrë që dy punëtorët e larguar të kthehen sa më parë në vendin e tyre të punës”, thuhet më tej në reagim.
Në të njëjtën kohë AGK kërkon nga Inspektorati i Punës që në një afat sa më të shkurtër kohor, t’i shqyrtojë rastet në fjalë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thotë se do t’i përcjellë nga afër këto raste dhe do t’i njoftojë të gjithë mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë rreth këtij veprimi, që sipas AGK-së është arbitrar dhe tërësisht i papranueshëm.